Trashëgimi

Gjendet në Spanjë varri monumental 5,000-vjeçar

Nga Gazeta “SI”- Një ekip arkeologësh nga Universiteti i Cádiz ka bërë një zbulim të jashtëzakonshëm pranë qytetit të Tebas, në Málaga. Një dolmen ( një lloj varri megalitik i periudhës Neolitike, i ndërtuar me blloqe të mëdha guri të vendosura vertikalisht, mbi të cilat mbështetet një gur i madh horizontal) i mbajtur mirë, i ndërtuar mbi 5,000 vite më parë. Me një gjatësi mbi 12 metra, varri është i ndërtuar me blloqe të mëdha guri dhe konsiderohet një nga strukturat funerare megalitike më monumentale që janë zbuluar ndonjëherë në Andalusi.

Brenda dhomës, ekipet arkeologjike kanë gjetur mbetje njerëzore dhe një koleksion të pasur sendesh funerale, duke ofruar të dhëna të reja për jetën dhe ritualet e komuniteteve të lashta të këtij rajoni. Mes tyre, disa objekte ishin bërë nga materiale të rralla për këtë zonë, si fildishi, amberi dhe guaskat e detit, që tregojnë për kontakte dhe shkëmbime me territore të largëta.

“Prania e guaskave të detit në një zonë të brendshme tregon rëndësinë e detit si simbol prestigji dhe ekzistencën e rrjeteve të gjera tregtare,” shpjegon arkeologu i UCA-s, Juan Jesús Cantillo.

Objektet e rralla u gjetën pranë artefakteve lokale të punuara me kujdes nga flinti, përfshirë maja shigjetash, thika të mëdha dhe një halabardë të veçantë, një armë me majë të vendosur mbi një shtizë druri.

Ky zbulim i jashtëzakonshëm hedh dritë mbi jetën, traditat funerale dhe lidhjet e komuniteteve të lashta të Andaluzisë me botën e jashtme.

Burimi: Archaeology Magazine


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë