Dosje

Dosja e SPAK për Erion Isain, sms zbuluan abuzimin me tenderët për rrugën Korçë-Ersekë: Zjarr, se duhet t’i vulos!

Gazeta Si – Dokumentet e falsifikuara, konflikti i interesit dhe bisedat me sms me administratoren e kompanisë, janë një provë e fortë e Prokurorisë së Posaçme ndaj kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, i marrë nën hetim nën akuzat për shkelje të barazisë në tenderë, lidhur me ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë.

Në dosjen e SPAK-ut, bëhet me dije se objekt i hetimit rezulton të jenë katër procedura prokurimi, që lidhen me projektin për ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë, Loti II dhe projektet për ndërtimin dhe mbikëqyrjen e ujësjellësit të Ersekës dhe disa fshatrave përreth.

Në qendër të hetimeve të SPAK, ndodhet kompania “A & E Engineering”, në pronësi të Entela Çanos, e cila dyshohet se bshkëpunonte me kryebashkiakun Isai.

Sipas dosjes së SPAK, kjo kompani, jo vetëm që hartoi projektin për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë (Loti II), por gjithashtu mbikëqyri vetë punimet, duke krijuar një konflikt të pastër interesi.

Kryebashkiaku Isai është marrë i pandehur për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tender” së bashku me disa persona të tjerë.

Pas sekuestrimit të celularit të Entela Çanos, administratore e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k, SPAK ka zbardhur komunikimet mes saj dhe kryebashkiakut të Kolonjës, që sipas prokurorisë janë të dyshimta, përsa i përket tenderit me fond limit 3.8 milionë lekë për ndërtimin e ujësjellësit.

“Bashkia Kolonjë në procedurën e prokurimit për objektin “Loti Nr.2 Mbikëgyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”, me veprimet dhe mosveprimet e tij në kundërshtim ligjin e prokurorimeve publike. Po ashtu, dyshohet edhe për veprime të kundraligjshme në bashkëpunim me anëtarët e komisisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimit të specifikimeve teknike, shtetasit M.T., E.D., E.Z., dhe në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit A.T., E.C., Sh.L., që konsistojnë në paracaktimin e shoqërisë fituese të kësaj procedure prokurimi, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorin ekonomik të të pandehurës E.Ç. “A&E Engineering” sh.p.k”, – thuhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.

Nga hetimet që ka kryer SPAK, del se anëtarët e komisionit të marrjes në dorëzim të projektit E.C. dhe E.D., në bashkëpunim me shtetasen E.Ç., kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit, me objekt: “Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2”, datë 01.06.2020, duke përshkruar rrethana të rreme në përmbajtje për personat pjesëmarrës në këtë veprim.

SPAK e ka regjistruar procedimin penal në 29 shkurt të 2024, pas kallëzimeve të bëra në dy raste të ndara nga qytetarët R.N dhe E.Xh, të cilat më pas janë bashkuar për shkak të objektit të përbashkët të hetimit.

Si u falsifikua procesverabli

Pas dorëzimit të projektit më 1 qershor 2020, u krijua një komision për marrjen në dorëzim të tij, i ngritur me urdhër të kryebashkiakut Isai.

Në procesverbalin e dorëzimit, figuronte si kryetar i komisionit M.T. Megjithatë, ekspertiza grafike e SPAK zbuloi se firma e Tartarit ishte falsifikuar dhe ai nuk kishte qenë asnjëherë i pranishëm.

“Nga aktet e administruara rezulton se anëtarët e komisionit të marrjes në dorëzim të projekt zbatimit të projektit, shtetasit E.C. dhe E.D., në bashkëpunim me shtetasen E.Ç, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit, me objekt: ‘Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2’, datë 01.06.2020, duke përshkruar rrethana të rreme në përmbajtje për personat pjesëmarrës në këtë veprim, duke e paraqitur si të pranishëm edhe kryetarin e komisionit të marrjes në dorëzim të projekt zbatimit, shtetasin M.T., por që në të vërtetë rezulton se nuk ka marrë pjesë shtetasi M.T., się provohet nga deklarimi i tij dhe nga akti i ekspertimit grafik të shkrimit dhe nënshkrimit në këtë procesverbal në emër të tij, që rezulton të jetë i falsifikuar”, thuhet në dosje.

SPAK akuzon E.Ç. dhe E.D., anëtarë të komisionit, si bashkëpunëtorë në falsifikimin e dokumentit, në bashkëpunim me administratoren e kompanisë, Entela Çano. Kjo ka çuar në ngritjen e akuzës për falsifikim ndaj E.D.

Projekti i rrugës iu dërgua për miratim ARRSH-së më 12 qershor 2020 nga nënkryetarja e Bashkisë, E.M.

Ndërkohë, “A & E Engineering”, rezulton si mbikëqyrëse e shumë projekteve të tjera publike në zonë, të cilat shpesh janë fituar nga të njëjtat kompani ndërtuese, duke ngritur dyshime për një strukturë të organizuar dhe favorizime sistematike në tenderë.

Akuzat dhe tenderët

Sipas burimeve, mësohet se Isai akuzohet për përgjegjësitë si titullar i autoritetit kontraktor dhe abuzimi me paratë publike kap shifrën e 20 milionë eurove.

Isai dhe 6 vartës të tij janë zyrtarisht të pandehur, ndërsa po hetohen edhe 5 persona nga kompanitë private që kanë përfituar tenderët.

Mekanizmi i përdorur në 4 tendera është një ujësjellës dhe aksi rrugor Korçë-Ersekë.

Sipas hetimeve të prokurorit të posaçëm Dritan Prençi kompania ANK ka paraqitur një projekt të falsifikuar për të fituar tenderin.

Gjithashtu konkratat e punës kanë qenë false me staf jo real me qëllim që të plotësonte kushtet e konkurrimit. Edhe mbikëqyrja e punimeve, dyshohet se është bërë me kontrata false sipas htimeve.

Burime bëjnë me dije se në vijim SPAK mund të kërkojë urdhër arreste për zyrtarët e Kolonjës pasi ende po kryhen veprime aktive në kuadër të hetimeve. 

Zbërthimi i një aparati celular i sekuestruar gjatë hetimeve të prokurorit Dritan Prençi ka zbuluar bisedat se si është abuzuar me procedurat e tenderimit dhe favorizuar kompanitë e paracaktuara.

Në dosjen e SPAK, përfshihen gjithashtu biseda të zbuluara nga celularët e sekuestruar, ku janë dokumentuar komunikime mes Çanos dhe Isait, që sipas prokurorisë, tregojnë lidhje të ngushta dhe bashkërendim në vendimmarrje.

Ja disa prej komunikimeve të zbuluara nga hetimet:

Në orën 10:05, shtetasi Erion Isai i dërgon mesazh Entela Çanos:

“Mirëmengjes, shifi pak këto: Po 110 max ose 90 i jep zgjidhje thuj enteles. Vetem rrjeti jashtëm deri depo fi 250 ne 20 bar eshte 18755 ml X 6793 leke = 127402715 pa tvsh kurse pesari fi 200 me gjatësi 1880 X 4747 leke = 8924360 lekë”.

Në orën 10:06, Entela Çano i dërgon mesazh: “Mirëmengjes, ok. Mi dërgo. Ok te njëjtën gje po bejem edhe ne, reduktim parametrash”.

Në orën 10:08, Erion Isai i dërgon mesazh:

“Sa më shpejt s plis…”

Në orën 10:09, Entela Çano i dërgon mesazh:

“Ok… pa merak… Pa problem”.

Në orën 14:57, Erion Isai i përcjell mesazhin:

“Më duhet lista me emrat e fshatarëve dhe vendet për çdo fshat vëlla. Një zjarri te lutesh…”

Në orën 15:01, Erion Isai i dërgon mesazh:

“Ju vell…!”

Në orën 21:22, Erion Isai i shkruan përsëri Entela Çanos:

“Të ndonjë fshati? Të ndonjë fshati?”

Në orën 21:24, Erion Isai i dërgon mesazh:

“330 Është max.”

Në orën 21:25, Entela Çano i dërgon mesazh:

“Shqyr…?”

Në orën 21:28, Erion Isai i dërgon mesazh:

“Pls… zjarrrr… Se nesër duhet me i printu t’i vulos ktu te unë. Të premte mëngjes herët. Duhen dorëzu”.

Në orën 21:29, Entela Çano i dërgon mesazh:

“Do bëj më të mirën e mundshme… mendoj që do t’i jem korrekte…por jam sforcuar shumë për të kapur vlerën..”.

Në orën 21:29, Erion Isai i dërgon mesazh:

“Ishte teeepeeeeee e lartë”.

Në orën 21:30, Entela Çano i dërgon mesazh:

“Me 5 aspra tha ai, do verë të mirë miku…shprehje gjermane”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë