Gazeta Si – SPAK ka zbardhur pas 5 vitesh rrëmbimin dhe vrasjen e Klevis Lleshit, 24 vjeçarit, i cili u zhduk pa gjurmë në vitin 2020 dhe trupi i të cilit u gjet pas më shumë se 2 vitesh në një fshat të Mamurrasit.
Porositësi i vrasjes dyshohet se është Aurel Hoxha, i njohur edhe si Aurelinjo Kolaveri, 36 vjeç, pronar i lokalit “Monopol” në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, i shpallur në kërkim nga policia.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Posaçme thotë se e akuzon Hoxhën si urdhërues të rrëmbimit e më pas të vrasjes së të riut, Klevis Lleshi kundrejt pagesës prej 50 mijë eurosh në shenjë hakmarrje për vëllain Agim Hoxha në Angli.
Për të njëjtën ngjarje, policia ka arrestuar Sabah Nuzi, i dyshuar si eksekutori dhe Samet Loka, të dy nga 31 vjeç. Ndërsa bashkëpunëtori tjetër, Sajmir Kolaveri, është arrestuar në Itali.
Ndaj katër të akuzuarve, rëndojnë disa akuza për veprat penale: “vrasje për gjakmarrje”, “fshehje dhe asgjësim kufome”, “pastrim i produkteve të veprës penale”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “vepra penale te kryera nga grupi strukturuar kriminal”.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive hasmërie, pasi fisi i Aurel Hoxhës, ka qenë në konflikt me fisin Lleshi prej vitit 2012. E gjithë ngjarja nisi me një miqësi të shkatërruar në Londër mes dy pjestarëve të dy fiseve të ndryshëm.
Sipas SPAK, Aurel Hoxha ka qenë personi që ka urdhëruar rrëmbimin dhe vrasjen e Klevis Lleshit, si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, Agim Hoxha në vitin 2012.
Ndërkohë që një hetim i SPAK dhe sektorit të hetimit të krimit të organizuar ka çuar në zbardhjen e vrasjes. Burimet bëjnë me dije se vrasja është zbardhur nga SPAK falë transkiptimeve të SKY ECC.
Të dhënat për këtë ngjarje kanë dalë nga hetimet për një procedim penal tjetër lidhur me vrasjen e Arben Lleshit, kushëririt të Klevisit në burgun e Peqinit nga Sokol Mjacaj më 15 dhjetor 2023.

Ngjarja
Klevis Lleshi humbi kontaktet me familjarët e tij më 5 gusht të vitit 2020, ndërsa po në të njëjtën ditë u bë denoncimi në polici për zhdukjen e tij.
Atë ditë i riu kishte pirë një kafe në një lokal dhe që prej pasdites, nuk kishte patur asnjë kontakt me të afërmit e tij.
Trupi i tij u gjet dy vite pas zhdukjes në një fshat të Burrelit si pasojë e erozionit të tokës. Analizat e ADN zbuluan se bëhej fjalë për trupin e të riut i cili ishte zhdukur në 2020-ën. Dyshimet e familjarëve ishin tek familja Hoxha me të cilën ishin në hasmëri prej 7 vitesh.
Viktimës Klevis Lleshi i është vrarë babai në vitin 2013 për gjakmarrje, ndërsa në 2016-ën i është vrarë xhaxhai, para shtëpisë. Po ashtu në vitin 2016, të riut i është zhdukur edhe një kushëri.

Saga e hasmërisë
Agim Hoxha, vëllai i Aurel Hoxhës (i dyshuar për porositjen e vrasjes së Klevis Lleshit), u gjet i shkrumbuar në makinën e tij në Britaninë e Madhe.
Ekspertiza tregoi se 29-vjeçari ishte vrarë në një tjetër vend, më pas ishte vendosur në makinën e tij dhe i ishte vënë flaka për të zhdukur trupin.
Ai jetonte dhe punonte prej vitesh në Londër bashkë me Arben Lleshin, një miqësi e kultivuar që në vendlindje, por që u prish më vonë.
Mediat britanike shkruanin në atë kohë se dyshja kishin pasur konflikte për pazaret e drogës, në të cilët ishin përfshirë në Londër.
Autoritetet britanike vunë në pranga Arben dhe Afrim Lleshin. Ky i dyti u akuzua për pengim të hetimeve nga autoritetet britanike, pasi deklaronte se në kohën që ishte vrarë Agimi, Arbeni ndodhej me të.
Por presioni, bëri që Arben Lleshi të pranonte krimin e kryer, megjithëse refuzoi ta kishte djegur trupin brenda në makinë.
Lleshi u dënua me 32 vite burg dhe në vitin 2016, u ekstradua drejt Shqipërisë për të shlyer 28 vitet e mbetura.

Por, ndërkohë që Lleshi kishte marrë dënimin nga drejtësia, familja Hoxha nuk u pajtua! Kështu nisi dhe hakmarrja.
Në vitin 2013, u vra Xhavit Lleshi, babai i Klevisit që iu gjet trupi para dy vitesh. Xhavit LLeshit iu bë pritë në vendin e quajtur “Pujkë”. Më 15 maj të vitit 2016, u vra Hajredin Lleshi, vëllai i Xhavitit, në fshatin e lindjes në Burrel.
Goditjet nga familja Hoxha vijuan dhe një vit më vonë. Në vitin 2017 u rrëmbye Artan Lleshi, djali i Hajredinit, të cilin e morën me një makinë në Burrel dhe e sollën në Kamëz.
Këtu ai u pa për herë të fundit nga kamerat e sigurisë së një lokali dhe që nga ajo kohë nuk dihet se çfraë ka ndodhur me të.
Në 5 gusht të vitit 2020, është parë për herë të fundit Klevis Lleshi i gjallë. Atë mesditë, i riu ka humbur kontaktet me çdo njeri dhe trupi i tij është gjetur vetëm 2 vite më vonë i groposur.
Goditja e fundit e fisit Hoxha ndaj fisit Lleshi ishte në dhjetor të vitit 2023. Kjo pasi në burgun e Peqinit ku ndodhej Arben Lleshi, i dënuar me 32 vite burg, u vra në qelinë e tij me armë zjarri pistoletë nga i dënuari me burg përjetë, Sokol Mjacaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



