Futboll

Në të parën luhet për kreun

Nga Gazeta Si – Sot dhe nesër kthehen në fushë, skuadrat e Kategorisë së Parë të futbollit në vend. Dy takime sot dhe katër të shtunën prite të ndryshojnë shumë në pozicionet përkatëse të klasifikimit.

Kjo edhe për shkak të diferencave minimale që skuadrat kanë me njëra tjetrën. Vëmendja do të jetë e tëra në Korçë ku Skënderbeu kryesues do të presë Laçin e vendit të dytë në orën 19:00.

Diferenca mes tyre është 1 pikë, vendasit nuk kanë asnjë humbje ndërsa miqtë asnjë barazim në 4 javët e para.

Dy skuadrat kanë treguar një nivel superiore ndaj kundërshtarëve të tyre dhe janë favoritet kryesore për tu rikthyer sezonin e ardhshëm mes më të mirëve.

Java do të fillojë 3 orë më herët kur Besa dhe Lushnja të ngrenë siparin me një përballje ku vendas dhe miq kërkojnë fitoren e parë dhe aktualisht ndahen nga dy pikë në klasifikim.

Të shtunën luhen dy takime të ekuilibruara dhe dy të tjera me diferenca të dukshme në klasifikim.

Të gjitha në orën 16:00 ku Kukësi (4 pikë) pret Pogradecin (5 pikë) dhe Lushnja (4 pikë) pret Ilirinë (4 pikë).

Ndërsa Burreli dhe Apolonia që kanë përkatësisht 7 pikë, duken të favorizuara në letër në transfertat ndaj Kastriotit (2 pikë) dhe Korabit (3 pikë) që renditen në zonën e ftohtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë