Nga Gazeta “SI”– Lista e ngushtë për Çmimin Booker 2025 është shpallur, duke përfshirë një fitues të mëparshëm dhe tre autorë të përzgjedhur për herë të parë. Gjashtë romanet e përzgjedhura u zgjodhën nga juria e këtij viti, e kryesuar nga shkrimtari i njohur dhe fitues i Çmimit Booker në vitin 1993, Roddy Doyle. Ai kishte në krah novelistën e nominuar më parë për listën e gjatë të Booker Prize, Ayọ̀bámi Adébáyọ̀; aktoren, producenten dhe botuesen e vlerësuar Sarah Jessica Parker; shkrimtarin, gazetarin dhe kritikun letrar Chris Power; si dhe autoren më të shitur sipas New York Times dhe të nominuarën më parë për listën e gjatë të këtij çmimi, Kiley Reid.
Lista e ngushtë përmban romanet Flesh, The Land in Winter, The Rest of Our Lives, Audition, The Loneliness of Sonia and Sunny dhe Flashlight. Ndërsa lista e gjatë përfshinte gjithashtu veprat Misinterpretation, Seascraper, Endling, One Boat, Universality, The South dhe Love Forms.

Përzgjedhja e jurisë vë në pah shkrimtarë që tashmë kanë ndërtuar karriera të forta: pesë nga gjashtë kanë mbi pesë libra të botuar, dy kanë më shumë se dhjetë, ndërsa një autor solli librin e tij të tretë pas një periudhe 20-vjeçare pune. Autorët përfaqësojnë katër kombësi në tre kontinente dhe mes tyre gjenden emra të mëdhenj si fituesja e mëparshme e Çmimit Booker, Kiran Desai, finalistët e dikurshëm Andrew Miller dhe David Szalay, si edhe tre autorë që hyjnë për herë të parë në listën e ngushtë të këtij çmimi prestigjioz. Romanet variojnë edhe në gjatësi: një prej tyre ka më pak se 200 faqe dhe përfshin disa muaj, ndërsa një tjetër është një histori dashurie prej afro 700 faqesh që shtrihet ndër vite.
Sipas Roddy Doyle, kryetarit të jurisë, autorët e këtij viti janë “në zotërim të plotë të gjuhës angleze, ritmit dhe mjeshtërisë së tyre”, duke sjellë libra “të shkruar në mënyrë brilante dhe thellësisht njerëzore”.

Shkrimtarja shqiptare Ledia Xhoga, e cila ishte përfshirë në listën e gjatë të Çmimit Booker 2025, nuk arriti të bëhej pjesë e listës së ngushtë për fitimin e një prej çmimeve më prestigjioze të letërsisë botërore. Megjithatë, ky fakt nuk e zbeh suksesin e romanit të saj Keqkuptimi, i cili së fundmi është përkthyer edhe në shqip. Ledia Xhoga u bë shkrimtarja e dytë shqiptare që hyn në listën e gjatë të Booker Prize, pas Ismail Kadaresë i cili e fitoi në vitin 2005.

Përzgjedhja e vitit 2025 u bë mes 153 dorëshkrimeve dhe synon të vlerësojë veprat më të mira të letërsisë së gjatë nga autorë të çdo kombësie, me kusht që të jenë shkruar në anglisht dhe botuar në Mbretërinë e Bashkuar ose Irlandë midis 1 tetorit 2024 dhe 30 shtatorit 2025. Autorët e përfshirë në listën e ngushtë do të marrin secili nga 2,500 £, një botim të posaçëm të librit të tyre dhe do të fitojnë lexueshmëri globale, duke rritur profilin dhe shitjet. Fituesi i Çmimit Booker 2025 do të shpallet në një ceremoni që do të mbahet në Londër të hënën, më 10 nëntor, dhe do të marrë një shpërblim prej 50,000 £.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



