Gazeta Si – Dy aeroplanë shmangën për pak një përplasje në Aeroportin e Nicës në Francë vetëm me tre metra, duke shmangur një nga fatkeqësitë më të rënda ajrtore. E gjitha ndodhi brenda pak sekondash vonë të dielën në mbrëmje, më 21 shtator, në aeroportin francez.
Dhe ndërsa autoritetet e aviacionit kanë nisur një hetim për të përcaktuar përgjegjësinë, disa pasagjerë raportojnë se pilotët ishin dukshëm të tronditur.
Rrethanat
Është ora 23:30 kur Airbus A320 i Nouvelair, një linjë ajrore tuniziane, duke u nisur nga Tunizia, përgatitet të ulet në pistën 4 (majtas) në aeroportin e Côte d’Azur.
Në të njëjtën kohë, një tjetër A320, i operuar nga “EasyJet”, afrohet për t’u rreshtuar në pistën 4 (djathtas) – paralel me pistën 4 (majtas) – para se të niset për në Nantë. Moti nuk është më i miri, me disa erëra të forta dhe dukshmëri të reduktuar.

Rreshtimi i gabuar
Në orën 23:31 – për arsye që ende nuk janë sqaruar – avioni tunizian u rreshtua me pistën 4 në të djathtë.
Nuk është e qartë nëse dikush në kullën e kontrollit e vuri re gabimin, i cili sigurisht nuk është një çështje e vogël: dy shiritat e asfaltit janë rreth 300 metra larg, sipas hartave aeronautike dhe ai në krah të majtë është zhvendosur përpara me gjysmë kilometri.
Takimi i afërt
Pavarësisht kësaj, pilotët e “Nouvelair” vazhduan pa manovra korrigjuese. Në orën 23:32, “EasyJet A320”, në tokë, u kthye majtas dhe hyri në pistën 4 në të djathtë për ngritje, duke pritur lejen e ngritjes nga kontrolli i trafikut ajror.
Aeroplani tunizian po afrohej me 260 kilometra në orë dhe ishte 1,100 metra larg. Dhjetë sekonda më vonë, ai kaloi mbi avionin e linjës ajrore britanike me kosto të ulët.
Në pikën e tij më të ulët, ai arrin 15.24 metra. Maja e bishtit të A320 është 11.75 metra: diferenca është 3.49 metra.

Dëshmi
“Papritmas, dëgjuam një zhurmë të madhe në kabinë dhe dridhje të forta”, tha një pasagjer për gazetën lokale “Nice Matin”.
Vetëm gjashtë sekonda pas takimit “të afërt”, avioni tunizian filloi të manovronte për të rifituar lartësinë dhe për të tentuar një ulje më vonë.
Ekspertët besojnë se pilotët mund të kenë vënë re dritat e aeroplanit të bllokuar në minutën e fundit.

Fluturimi u anulua
Avioni easyJ A320 doli nga pista, duke u kthyer në terminal. Sipas platformave të monitorimit të trafikut ajror, fluturimi u anulua.
Disa pasagjerë u thanë gazetave lokale se pilotët ishin në gjendje shoku dhe të paaftë të ngriheshin. Gjashtëmbëdhjetë minuta pas “kthimit rrethor”, avioni tunizian u ul në pistën e duhur, pistën 4 majtas.
Hetimi
Një zëdhënës i aeroportit konfirmoi incidentin. “Do të kryhet një hetim për të përcaktuar shkakun, – theksoi ai. – Por duket se pilotët e ‘Nouvelair’ bënë një gabim”.
Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot i kërkoi agjencisë franceze hetimore BEA (Bureau d’Enquêtes et d’Analyses), “të nisë një hetim për të hedhur dritë të plotë mbi rrethanat e sakta të kësaj ngjarjeje”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



