Rend dhe Ligj

U vetëplagos aksidentalisht me armën pa leje, 37-vjeçari tentoi ta fshehë brenda ‘Audi’-t

Gazeta Si – Skerdi Mehmetaj (Piperi), 37-vjeçari i cili u vetëplagos me armë zjarri të hënën, është arrestuar nga policia.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se ai e ka pasur armën pa leje. Pasi u plagos, Mehmetaj ka shkuar në spital me një plagë në këmbë. Në momentin kur ka ndodh ngjarja, armën e ka hedhur në makinë per t’i shpëtuar policisë.

Ndërkohë, gjithnjë sipas burimeve nga grupi hetimor, 37-vjeçari, pasi është vetëplagosur jashtë ambienteve të lokalit në zonën e Lungomares, ka hedhur armën e zjarrit brenda një makine tip “Audi” me ngjyrë të bardhë që ishte aty pranë.

Ai ka tentuar ta fshehë armën për t’i shpëtuar veprës penale të “armë mbajtjes pa leje”. Mehmetaj ka shkuar vetë më pas në spital i plagosur pasi plumbi e ka kapur në pjesën e këmbës.

Në spital ka konfirmuar ngjarjen, duke dhënë dëshmi përpara grupit hetimor dhe duke thënë se është vetëplagosur.

Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se në dëshminë e tij, 37-vjeçari ka deklaruar se armën e zjarrit e mbante për mbrojtje, pasi ndihej i kërcënuar për shkak të konflikteve që mund të ketë pasur në të shkuarën.

Kësaj dëshmie i janë bashkuar dhe të tjera detaje në të shkuarën e tij për të cilat policia mbetet e rezervuar, por ai dyshohet se është një personazh i njohur për policinë e Vlorës dhe Selenicës.

Xhami i parë i makinës ka thyerje dhe kjo tregon se i plagosuri e hodhi pistoletën brenda mjetit. Momentalisht 37-vjeçari po merr mjekim në spitalin e Vlorës ku ndodhet jashtë rreziku për jetën ndërsa është sekuestruar arma me 16 fishekë në cilësinë e provës materiale.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasin S. M., 37 vjeç, banues në Selenicë, pasi ditën e djeshme, në ambientet e jashtme të një lokali në Vlorë, dyshohet se është vetëplagosur në kofshën e majtë, nga qitja aksidentale e një arme zjarri tip pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Arma me 16 fishekë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Aktualisht, ky shtetas ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë