Nga Gazeta Si – Ylli i Paris Saint-Germain, Ousmane Dembélé, shihet si kandidati kryesor për të fituar Topin e Artë për meshkuj, që do të shpallet sot.
Por çfarë e bën atë favorit? Pavarësisht polemikave, Topi i Artë mbetet çmimi individual më prestigjioz në futboll, edhe pse varet nga votat e një grupi gazetarësh të përzgjedhur nga 100 vendet me pozicionet më të lartë në renditjen e FIFA-s.
Këtë vit, vlerësimi bazohet në paraqitjet nga 1 Gushti 2024 deri më 13 Korrik 2025, periudhë që përfshin edhe Kupën e Botës për Klube.
Gjatë kësaj kohe pati performanca të jashtëzakonshme. Mohamed Salah i Liverpool-it regjistroi më shumë kontribut për gol se çdo lojtar tjetër nga 5 ligat kryesore të Europës.
Kylian Mbappé i Real Madrid shënoi më shumë gola se kushdo tjetër. Lamine Yamal dhe Raphinha shkëlqyen për Barcelonën kampione të La Ligës, ndërsa një numër lojtarësh të Paris Saint-Germain, kampionë të Europës, mund të konsiderohen gjithashtu si fitues të denjë të Topit të Artë 2025.
Sipas parashikuesve, një prej tyre – Ousmane Dembélé – është favorit absolut për të ngritur trofeun e Topit të Artë në ceremoninë e së hënës në Paris.

Paris Saint-Germain realizoi një tripletë historike në sezonin 2024-25, duke fituar Ligue 1, Kupën e Francës dhe Ligën e Kampionëve.
Klubi parizien ngriti për herë të parë Kupën e Europës/Ligën e Kampionëve, pas një finaleje spektakolare ku shkatërroi Interin 5-0, përpara se të arrinte edhe finalen e Kupës së Botës për Klube.
Dembélé ishte pjesë qendrore e këtij suksesi, me 33 gola dhe 13 asist në të gjitha ndeshjet. Vetëm Kylian Mbappé (36) dhe Robert Lewandowski (35) shënuan më shumë se 32 golat e tij nga aksioni.
Në fakt, 28-vjeçari e nisi sezonin mjaft qetë. Deri më 15 dhjetor 2024 kishte shënuar vetëm pesë gola në 18 ndeshje, megjithatë me 8 gola dhe 5 asist deri në fund të vitit, ai kontribuoi për më shumë gola se çdo lojtar tjetër te PSG.
Por me nisjen e vitit 2025 shpërthyen jo vetëm fishekzjarrët, por edhe Dembélé. Nga 1 Janari deri në Finalen e Ligës së Kampionëve, ai realizoi 25 gola e dha 8 asist në 29 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Nga lojtarët në 5 kampionatet më të forte në Europë, askush nuk kontribuoi më shumë se ai për 33 gola, ndërsa vetëm Kylian Mbappé shënoi më shumë në atë periudhë (29 gola).
Dembele shënoi në 6 ndeshjet e para të vitit 2025, përfshirë dy “hat-trick” rradhazi brenda të njëjtës javë: ndaj Stuttgart në Champions League dhe ndaj Brest në Ligue 1.

Në një formë të jashtëzakonshme ai e gjeti rrugën e rrjetës 24 herë në 20 ndeshjet e para të vitit 2025.
Forma e tij pësoi një rënie; Dembélé realizoi vetëm 1 gol në 10 ndeshjet e fundit të sezonit.
Megjithatë, ai mbeti pjesë thelbësore e skuadrës së Luis Enrique-s, me 6 asist në ato 10 ndeshje – përfshirë dy në Finalen e Ligës së Kampionëve.
Kjo e bëri atë lojtarin e parë që jep dy pasime për gol në një Finale të UCL që nga Marcelo me Real Madrid në vitin 2018.
Francezi luajti një rol masiv në suksesin e PSG-së në Ligën e Kampionëve. Me 8 gola e 6 asist ai vendosi rekordin absolut për një lojtar të një skuadre franceze në një edicion të UCL. Për më tepër, ai krijoi edhe numrin më të madh të rasteve për gol në kompeticion (38), po aq Raphinha (Barcelona).
Të jesh lojtari më i mirë i skuadrës më të mirë shpesh mjafton për të fituar Topin e Artë. Megjithatë, do të ishte e drejtë të thuhej se suksesi i PSG-së u bazua në faktin që kishte shumë lojtarë vendimtarë.
Ka nga ata që do të kundërshtojnë se Dembélé ishte lojtari më i mirë i parizienëve. Achraf Hakimi, Vitinha dhe Fabián Ruiz u shfaqën në nivel të lartë gjatë gjithë sezonit, ndërsa Désiré Doué spikati në fazat vendimtare të Ligës së Kampionëve, sidomos me dy golat e shënuar në Finale.
Mirëpo disa nga paraqitjet e Dembélé sezonin e kaluar ishin sikur të shikoje një lojë kompjuterike, por arritjet e tij do të jenë po aq reale sa çdo gjë tjetër nëse sot emri i tij do të shpallet fitues i Topit të Artë 2025.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



