Politike

‘Nuk fle, nuk harron’- Rama: Diella po bën për 2 vite atë që Kroacisë i mori 7

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës në lidhje me Diellën, si ministër “jo njeri” që sipas tij, nuk do të jetë e para në qeveri.

Rama tha se ajo do t’i shërbente shumë më mirë publikut dhe shërbimi është më efikas duke iu referuar Kroacisë e cila sipas tij, shpenzoi 7 vjet për të bërë punën që “Diella” sipas tij po e bën në më pak se 2 vjet.

“Diella nuk harron asgjë, nuk i ndërhyn askush, nuk ia prish humorin asnjë, nuk fle gjumë, nuk thotë po shkoj të ha ose më hahet prandaj s’po punoj”, tha Rama.

Sipas tij në një kohë të shkurtër, Ministri jo njeri nëpër qeveri do jetë një normalitet.

“Ne mund ta bëjmë dhe mund të jemi të shpejtë në procese që lidhen me AI, për të arritur t’i shërbejmë shumë më mirë publikut. Diskutohet sot si do vjedhë Diella. Kur je hajdut aty të rri mendja si do vjedhë ai tjetri atë gjënë që ti do ta vjedhësh për vete por s’të bie rruga andej. Si shkon mendja një njeriu normal, por vetëm atyre që kanë vjedhur, ose do vidhnin nëse do i caktonte njeri në vend të Diellës”, tha Rama.

Ai shtoi se të gjitha dokumentet që bëjnë kompanitë Diella do i mbledhë vetë.

“Temat e referencës, dokumentacioni mblidhet në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe në fund është oferta që flet vetë. Askush nuk i gjykon dot më mirë se sa Inteligjenca Artificiale. Do të duhen disa bashkëpunëtorë të Diellës, jo njerëz,që Diella do i lindë në maternitetin e Inteligjencës Artificiale. Kjo është reale dhe do të jetë reale, aq reale sa jemi ne të gjithë këtu. 

Për të përmirësuar në mënyrë potenciale, parametrat e sigurisë. Për sigurinë ushqimore dhe të gjithë mallrave, ne përsëri me inteligjencën artificiale do të ndryshojmë tërësisht mënyrën se si do të jetë kontrolli. Kemi ndërtuar kompanitë, tani po ndërtojmë sistemin, e njëjta gjë për naftën e kështu me radhë”, tha kryeministri Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë