Nga Gazeta ‘Si’- Teksa prezantoi paraditen e së shtunës ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallarin, kryeministri Edi Rama u shpreh se duhet konsoliduar pavarësia e sistemit gjyqësor, si një nga kushtet themelore të integrimit në Bashkimin Europian.
Ai tha se drejtësia dikur ka qenë mashë e interesave politikë dhe theksoi se është e vështirë që një drejtësi e pavarur të lindë e të rritet në një ‘shtrat të përgjakur’.
“Nuk është e thjeshtë të lindë dhe të rritet krijesa e një drejtësie e të pavarur në një shtrat të përgjakur e të ndotur prej 100 e kusur vitesh e një drejtësie që s’ka qenë kurrë as e lirë as e pavarur, por ka qenë masë e interesave të pushtetit politik.
Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, nuk ndryshojmë në këtë pikë, jemi të detyruar që këto lloj dhimbjesh, që ndryshe nga ju këtu, na i bie ti përjetojmë edhe si pjesë të qenies sonë, politike, qoftë kur dikush ndër ne mëkaton për përfitime të paligjshme, qoftë kur mëkaton drejtësia e pavarur, duke përdorur forcën, ne s’kemi asnjë zgjidhje tjetër, asnjë rrugë tjetër”, tha Rama.
Ai tha se drejtësia në vendin tonë është e pavarur dhe theksoi se pushteti ekzekutiv duhet të mbajë duar larg saj.
“Në kushtet kur kemi marrë përsipër një transformim epokal të marrëdhënies së pushtetit ekzekutiv me gjyqësorin, roli i Ministrisë së Drejtësisë ka ndryshuar dhe sfidat e Ministrisë së Drejtësisë janë ridimensionuar. Kjo nuk nënkupton që rëndësia e Ministrisë së Drejtësisë është zvogëluar apo që pesha që ka në të gjithë proceset është zvogëluar. Edhe roli, dhe pesha janë po aq të rëndësishme sa kanë qenë. Mbi të gjitha, detyrimi që ka Ministria e Drejtësisë për të mbajtur në mënyrë konstante busullën orientuese për të gjitha proceset vendimmarrëse, është detyrim shumë i madh”, tha Rama në fjalën e tij të prezantimit.
Rama tha se territori i mbulimit të çështjeve të drejtësisë në shtetin shqiptar është territori që zë vendin më të gjerë në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Ndaj ai tha se është shumë e rëndësishme që qeveria të garantojë dhe konsolidojë pavarësinë e sistemit gjyqësor si një pushtet kushtetues i pavarur nga ekzekutivi në letër.
Ai shtoi se qeveria nuk ka ndërhyrë sipas tij në asnjë rast në përmbajtjen e një çështjeje me të cilën është marrë drejtësia.
“Dhe nuk do ta bëjmë as sot dhe as nesër. Aq më tepër ku drejtësia nuk e ka thënë fjalën e fundit”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



