Kinema

245 filma nga 71 vende/ TIFF e kthen Tiranën në kryeqytetin e kinemasë botërore

Nga Gazeta “SI”- Tirana International Film Festival, një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në Europë, hap siparin të dielën në kryeqytet. Me 23 vite histori, qindra filma, dhjetëra kategori, një audiencë gjithëpërfshirëse dhe shumë lokacione, TIFF nis kështu edicionin e tij të 23-të.

Drejtori i TIFF, Agron Domi, i tha GazetaSi.al se ky edicion hapet me premierën e filmit fitues të Festivalit të Venecias dhe më pas shpjegoi edhe detajet e programit.

“Edicioni i 23-të i TIFF hapet me filmin fitues të Venecias, Father Mother Sister Brother nga regjisori Jim Jarmusch, i cili do të shfaqet disa herë premierë në kinema Millenium për publikun. Një tjetër program i rëndësishëm është “Focus”, një tribut për regjisorin islandez Rúnar Runarsson, një nga më të mirët sot në Europë.

Përzgjedhja e tij është bërë për të ofruar një model sesi një vend i vogël si Islanda arrin të eksplorojë natyrën e veçantë njerëzore dhe gjeografike, duke arritur sukses. E kemi sjellë si shembull për kineastët që të shohin se si arrihet ky sukses”, u shpreh Domi.

Ai thekson se një tjetër kategori e rikthyer në TIFF është edhe video-arti.

“Një program tjetër në fokus është Retrospektiva, e cila i dedikohet video-artit eksperimental, sidomos Fani Zguros, një prej artistëve më të mirë të këtij zhanri, por edhe emrave të tjerë të njohur të video-artit botëror. Veprat janë përzgjedhur dhe marrë nga galeritë më të mëdha të botës dhe janë kategorizuar në The Anarchyst”, shtoi Domi.

Festivali këtë vit do të shpërndahet në disa lokacione, me një hapësirë të re: KinoPiramida, ku do të shfaqen ekskluzivisht filma për fëmijë dhe adoleshentë.

“Lokacionet ku do të shfaqen filmat janë katër: kinema Millenium, Kinema Agimi, Vila 31 Art Explora dhe Piramida, ku do të shfaqen filma për fëmijë dhe adoleshentë në dy kategori – Kids dhe Teenager. Një kategori tjetër që vlen të përmendet është edhe edicioni i katërt i Screenplay, ku juria së bashku me distributorë do të zgjedhin një skenar gati për t’u prodhuar në film”, shpjegon për GazetaSi.al drejtori i festivalit.

Sipas Domit, ky edicion ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm, duke regjistruar një numër rekord aplikimesh.

“Kemi pasur rreth 3,500 filma në total dhe kemi përzgjedhur 250 filma nga 70 vende të botës. Është një gjeografi shumë e pasur, me filma të zgjedhur pa paragjykime. Ashtu siç kemi filma izraelitë, kemi edhe filma palestinezë që trajtojnë temat aktuale të luftës”, u shpreh ai.

Këtë vit janë përfshirë edhe pesë filma shqiptarë.

“Numri është i ulët sepse i ulët është edhe prodhimi, por edhe cilësia e filmave shqiptarë”, shtoi Domi.

Në fund të intervistës, drejtori i TIFF kujtoi edhe një nga sukseset më të mëdha të festivalit: filmin Valixhja e kuqe të regjisorit iranian Cyrus Neshvad, i cili arriti deri në finalen e çmimeve Oscar.

“Interesi nga regjisorët ndërkombëtarë është i madh, sepse nga TIFF dalin dy kandidatura për Best European Short Film dhe për Oscar në kategorinë e filmit të shkurtër. Pra, TIFF është një nga 30 festivalet më të rëndësishme europiane që propozon kandidaturat për këto çmime.

Para tre viteve, regjisori iranian Cyrus Neshvad me filmin e tij Valixhja e kuqe fitoi në TIFF në kategorinë e filmit të shkurtër, fitoi gjithashtu çmimin europian dhe arriti në pesëshen finaliste të Oscar falë pjesëmarrjes në TIFF. Ky ishte një sukses i madh i festivalit”, u shpreh Domi.

Për shtatë ditë me radhë, Tirana shndërrohet në kryeqytetin europian të filmit, ku në katër lokacione do të shfaqen mbi 250 filma të kategorive të ndryshme, duke bashkuar aktorë, regjisorë, skenaristë dhe artistë të kinematografisë nga e gjithë bota.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë