Libra

Si mbërriti nga Oksfordi në Lezhë, libri i shkrimtarit francez për Skënderbeun i botuar në vitin 1673

Nga Gazeta “SI”- I shkruar në Francë nga guvernatori i Notre-Dame, Georges de Scudéry, gjithashtu shkrimtar dhe dramaturg, libri i titulluar “Kërkimfaljet e disa princave: Justifikimi i veprimeve të tyre më të shquara para botës” botuar në vitin 1673 ka bërë një udhëtim të gjatë para se të mbërrinte në koleksionin privat të historianit dhe studiuesit lezhjan, Paulin Zefi.

Ky libër është pjesë e koleksionit prej 353 librash dedikuar Gjergj Kastriotit, dhe është libri më i hershëm që Zefi ka arritur të mbledhë. I botuar në shkruar në anglisht, libri ka kaluar përmes disa duarve dhe fazave, të cilat Paulin Zefi i rrëfen për GazetaSi.al.

Porosia e shkruar nga i biri i George De Scudery, për mikun e tij

“Libri është i vitit 1673, dhe veçoria e tij është se i biri i Georges de Scudéry, në vitin 1720, ia dhuroi një miku të tij. Fakti që ky libër është ruajtur kaq mirë për thuajse katër shekuj do të thotë se edhe miku i të birit ka qenë një ruajtës dhe fanatik i librit,” thotë Zefi.

Në faqen e fundit të librit, me një kaligrafi të përkryer, i biri i De Scudéry e ka lënë si porosi mikut të tij, duke i theksuar nevojën dhe dëshirën që ai ta trashëgojë atë kopje dhe ta ruajë me kujdes deri në fund të jetës së tij.

Për atë që ka ndodhur më pas, Zefi sqaron se kjo kopje përfundoi në Oxford, dhe prej andej në koleksionin e tij, përmes një miku që jetonte në Amerikë.

Paulin Zefi

“Një miku im që jeton në Amerikë e ka gjurmuar këtë libër te një koleksionist privat që jetonte atje. Libri ishte marrë nga biblioteka e Oxford-it dhe, duke mos e njohur ndoshta vlerën e tij, personi në fjalë e nxori për shitje. Fati im që e gjurmova i pari dhe e bleva përmes mikut tim që jeton atje.”

Paulin Zefi ruan një koleksion prej 353 veprave të shkruara për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, të botuara në periudha dhe të ndryshme. Ky botim është më i hershmi që ai ka mundur të sigurojë. Edhe pse i botuar prej katër shekujsh, Zefi thotë se libri është ruajtur në gjendje të shkëlqyer.

“Edhe pse ky libër është botuar para gati 350 vitesh, ai është në një gjendje shumë të mirë. Si koleksionist i veprave të dedikuara Gjergj Kastriotit, shpesh shpenzoj të ardhurat e mia për sigurimin e librave të rrallë. Ajo që më ka bërë përshtypje është cilësia e ruajtjes së librit. Ndoshta ka pasur fatin që të pasohet dhe të ruhet nga njerëz të kujdesshëm, por realisht libri duket sikur është prodhuar para 10 vitesh. Ky libër ishte blerë për një çmim prej 384 eurosh, dhe me postën ka kushtuar diku te 400 euro. Por vlera e tij është shumë më e madhe,”

Kush ishte Georges de Scudéry?

Georges de Scudéry ishte një ushtar dhe shkrimtar francez, i lindur në Le Havre. Pas një karriere në ushtri, ai u përfshi në jetën letrare të Parisit dhe fitoi favorin e kardinalit Richelieu duke kritikuar dramën Le Cid të Corneille-it. Ai u bë guvernator i një fortesë pranë Marsejës dhe më vonë anëtar i Akademisë Franceze.

Scudéry ishte dramaturg i zellshëm, por vetëm vepra L’Amour tyrannique dhe poema epike Alaric mbetën të njohura. Ai gjithashtu kontribuoi në veprat e motrës së tij, Madeleine de Scudéry. Ndonëse shpesh përshkruhej si i pamëshirshëm, ai kishte pasion për letërsinë dhe ndjenja të forta nderi.

Gravura e Skenderbeut

Libri shoqërohet me gravura dhe kryesisht trajton çështjen e besimit të krishterë të Gjergj Kastriotit, si dhe aftësitë e tij politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë