Politike

Veliaj në qeli, Rama: Emergjenca e drejtimit të Tiranës nuk mban më!

Nga Gazeta ‘Si’- Teksa kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ndodhet në paraburgim, Kryeministri Edi Rama tha në Asamblenë e PS se do të adresohet problemi për drejtimin e kryeqytetit.

Në fjalën e tij, Rama tha se kjo çështje “nuk mban më” dhe duhet të marrë zgjidhje.

“Jemi mbledhur në këtë takim te parë të 4-vjeçarit tonë më sfidues për të çelur kapitullin e mandatit tonë të katërt i cili nis zyrtarisht pas pak ditësh me betimin e kuvendit dhe votëbesimin e qeverisë së re. Do na duhet të adresojmë këtu edhe emergjencën e krijuar në drejtimin e Tiranës për arsyen e ditur botërisht. Nuk mban më, ama duhet të them që në fillim sa më qartë atë që besoj e ndajmë të gjithë së bashku.. nuk kemi pasur dhe nuk do kemi asnjë pendesë për lirinë dhe pavarësinë që i kemi dhënë drejtësinë me reformën në drejtësi dhe mbi të gjitha me tërheqjen historike të pushtetit të shumicës nga fusha e pushtetit gjyqësor”, tha Rama.

Ai shtoi se i dhanë pushtetit gjyqësor mundësinë të qeverisë vetë.

“I dhamë pushtetit gjyqësor të qeverisë vetë, punët e veta përmes organeve të parashikuara nga reforma në drejtësi dhe të zgjedhura jashtë vullnetit të partive politike. Kush flet për kapje, kontroll apo ushtrim të pushtetit të drejtësisë nga ana jonë, me urdhra nga lart apo me presione rreth e rrotull ose nuk di ça flet ose nuk do të pranojë të vërtetën e madhe të një ndryshimi që në historinë e këtij vendi do të shënohet si epokal për një vend kur kurrë, asnjëherë nuk ka pasur pavarësisë të prokurorëve dhe gjykatësve nga cilido pushtet politik”, tha ai.

Një ditë më parë, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim ndaj Erjon Veliaj, të cilin e akuzonte për 13 vepra penale, prej të cilave 9 raste korrupsioni.

Kujtojmë se Bashkia e Tiranës po drejtohet nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë