Ka ndodhur

Ra në kontakt me kabujt elektrikë në rrugë, humb jetën 43-vjeçari në Durrës

Gazeta Si – Një 43-vjeçar me iniciale B.K., humbi jetën mëngjesin e kësaj të enjteje në lagjen nr. 5 të Durrësit si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike dhe në kushtet e lagështirës.

Sipas burimeve, viktima, banor i zonës, dyshohet se është goditur nga rryma elektrike teksa kalonte në një rrugë të përmbytur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:15, në një segment rrugor që ishte mbuluar nga uji për shkak të reshjeve të natës.

Dyshohet se ai ka tentuar të mbahet te një shtyllë elektrike, por aty ka pasur shkarkim të rrymës, e cila ka rezultuar fatale për të.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se në momentin e incidentit, nivelet e ujit në rrugë ishin të konsiderueshme, duke rritur rrezikun e kontaktit me instalime elektrike.

Gjithnjë sipas burimeve paraprake, banorët e lagjes pohojnë se shtylla ka qenë e dëmtuar prej kohësh, dhe se askush nuk ka marrë asnjë masë për rrezikun që i kanosej qytetarëve.

Dy ditë pak ditë më parë në Lezhë, një 16-vjeçare humbi jetën pasi ra në kontakt me kabllo elektrike të zhveshura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë