Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë ka miratuar uljen e komisioneve për disa lloje transfertash në lekë dhe në euro.
Këshilli vendosi që të zerojë komisionet për pagesat elektronike deri në 40.000 lekë dhe janë reduktuar me 10 herë komisionet për pagesat elektronike deri në 10 mln lekë.
Reduktime janë bërë edhe për pagesat në euro brenda vendit, duke i paraprirë modelit SEPA.
Banka ka ulur nivelin e komisionit minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat në sistemin AIPS Euro, në 4 euro, nga 6 euro që ishte më parë.
Ndërkohë, totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0.02% e vlerës së transferuar.
Me rregulloren aktuale, komisioni maksimal është 10 herë më i lartë, në masën 0.2%. Gjithashtu, ky komision maksimal është i detyrueshëm vetëm për transfertat me vlerë më të ulët, deri në 10 mijë euro; për pagesat më të mëdha se 10 mijë euro, aktualisht nuk parashikohet një tavan për komisionin në përqindje, por vetëm një komision maksimal në vlerë, pavarësisht shumës së transferuar.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, këto masa pritet të kursejnë rreth 40 milionë euro në vit për qytetarët dhe ekonominë shqiptare, ndërsa krijojnë kushtet teknike dhe institucionale për integrimin e plotë të vendit në zonën SEPA dhe zbatimin e projektit TIPS Clone për pagesa të shpejta në kohë reale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



