Kinema

‘Tirana Film Festival’ mirëpret kinemanë botërore në edicionin e tij të 23-të

Nga Gazeta “SI”- Edicioni i 23-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë (TIFF) do të mbahet nga 21 deri më 27 shtator 2025 . Filmi më i mirë i shkurtër i këtij edicioni do të kualifikohet për Oscar-in e 98-të në vitin 2026 si dhe për Çmimet Evropiane të Filmit 2025, ndërsa filmat studentorë të përzgjedhur në TIFF kanë të drejtë gare për Çmimet Studentore të Akademisë (SAA).

Që prej vitit 2013, TIFF është pjesë e 110 festivaleve më prestigjioze në botë, të ndjekura nga afër si online ashtu edhe fizikisht nga HFPA – Shoqata e Shtypit të Huaj të Hollivudit. Programi i përditshëm i TIFF sjell 200 premiera filmash në konkurrim në të gjitha kategoritë dhe zhanret dhe këtë vit përfshin një program të veçantë kushtuar regjisorit islandez Rúnar Rúnarsson, filmat e të cilit si Farma e Fundit, Vullkani, Harabelët, Jehoja, si dhe veprat më të fundit O (Rrethi) dhe Kur thyhet drita kanë lënë gjurmë të forta në kinemanë nordike duke eksploruar marrëdhëniet familjare, fragjilitetin njerëzor dhe peshën e pikëllimit.

Për herë të parë TIFF i kushton një hapësirë të veçantë kategorisë Arti Video me programet Obsession me videot e Fani Zguro (2006–2025) dhe The Anarchists me artistë si Miguel Calderon, Maria Thereza Alves & Jimmie Durham, Jakup Ferri, Dora Garcia, Santiago Sierra, Bert Theis, Shingo Yoshida e Fani Zguro.

Një nga ngjarjet kryesore do të jetë premiera botërore e filmit historik Liri a Vdekje (1979) i restauruar në 4K dhe që do të shfaqet ekskluzivisht në kinemanë Millennium falë nismës A Season of Classic Films të Shoqatës së Kinematekave Evropiane me mbështetjen e Creative Europe MEDIA.

Ngjarjet e industrisë përfshijnë Konkursin e 4-të të Skenarëve – ContesTIFF 2025 ku 10 skenarë të përzgjedhur do të prezantohen para producentëve dhe shpërndarësve partnerë dhe në ceremoninë e 27 shtatorit fituesit do të shpërblehen me Çmimin e Shpërndarjes dhe mundësinë për kontratë prodhimi ose distribucioni, panelin Talking Shorts mbi tematika të filmave me buxhet të ulët si dhe një masterclass të titulluar Realizmi poetik në kinemanë e Rúnar Rúnarsson me pjesëmarrjen e regjisorit dhe të moderuar nga Blerina Hankollari.

Seksioni Panorama përfshin programe tematike si GENERATIONS, NEW WORLD, DIVERGENT MINDS, PARADE dhe për herë të dytë një program me filma të krijuar nga inteligjenca artificiale, ndërsa Programi Kids & Teens sjell 24 filma të shkurtër për fëmijë dhe adoleshentë ku fituesit do të zgjidhen me votim nga vetë fëmijët në Kino Piramida.

Konkurrimi zyrtar përfshin filmat artistikë të gjatë, dokumentarë, filma të shkurtër (aksion, animacion, dokumentar, arti video & eksperimental, studentë, filma ballkanikë dhe filma në shqip) të cilët do të vlerësohen nga 6 juri ndërkombëtare me emra si Yves Piat (Francë), Konstantina Kotzamani (Greqi), Or Sinai (Izrael), Menelaos Karamaghiolis (Greqi), Samir Ljuma (Holandë/Maqedoni e Veriut), Joni Shanaj (Shqipëri) dhe shumë të tjerë. Për herë të parë krijohet një Juri e Kornizës Fotografike e përbërë nga artistë vizualë si Elton Koritari, Ena Bulku dhe Rubin Kadiu që do të vlerësojë kornizat më të bukura nga dokumentarët, ndërsa Juria e Studentëve Kritikë nga Universiteti i Arteve do të gjykojë filmat dhe do të marrë pjesë në sesione Q&A për të nxitur mendimin kritik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Ceremonia e mbylljes do të mbahet më 27 shtator 2025, ora 19:00, në Kinemanë Millennium. Eventet e TIFF do të zhvillohen në Kinemanë Millennium, Qendrën e Artit AGIMI, Kino Piramida, Vila 31 – Art Explora, Bibliotekën Babel si dhe online për publikun që nuk mund të udhëtojë në Shqipëri. Këtë vit janë regjistruar rreth 3,245 filma dhe 59 skenarë nga 115 vende të botës dhe janë përzgjedhur 192 filma në konkurrim (12 të gjatë dhe 180 të shkurtër), 10 skenarë për ContesTIFF dhe 53 filma jashtë konkurrimit, duke sjellë gjithsej 245 filma , 19 artistikë të gjatë dhe 226 të shkurtër nga 70 vende të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë