Kombetarja

Sylvinho – ‘Bajramit i uroj fat, ndaj Gjibraltarit është e rëndësishme’

Nga Gazeta Si – Sylvinho Campos Mendes doli përpara mediave për miqësoren e nesërme ndaj Gjibraltarit. Braziliani foli për largimin e Bajramit, dëmtimet dhe situatën e kuqezinjve në prag të eleminatores ndaj Letonisë.

– I uroj fat Bajramit. Më lajmëruan nga FSHF që ai zgjodhi Zvicrën. Diçka që ndodh kudo. Edhe me Brazilin më ka ndodhur diçka e tillë. Nuk ndihem në faj për Bajramin, as stafi teknik me të cilin punojmë shumë për të përmirësuar lojtarët. Privatisht e kam bërë edhe me Bajramin për ta ndihmuar që të marrë minuta te Benfica.

– Kushdo që shkon në fushë, shkon për të fituar. Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë dhe e luftuar. Vetëm pasnesër do të mendojmë për formacionin ndaj Letonisë. Në Kombëtare stërvit 23-24 lojtarë por ndodh që dikush dëmtohet. Për këtë kemi bërë afrimet e reja (Kaçurri, Çokaj) që kanë treguar dëshirë dhe janë të kënaqur që ndodhen këtu me ne. Kastrati nuk ishte në 100% në stërvitje. Ndaj ai u largua dhe për këtë ftuam Simon Simonin.

– Broja është gati, nuk ka asnjë problem. Ai e di që i duhet të luajë më shumë në skuadrën e re ku përballet me një metodologji të re. Ai po përmirësohet fizikisht dhe është stërvitur çdo ditë me ne. Ndaj Letonisë është shumë e rëndësishme për ne. Nuk mund të fshihemi. Por më e rëndësishme është si e përgatisim ndeshjen.

– Ne punojmë 3-4 muaj përpara për çdo ndeshje. Nuk ankohem por mund të them që është e vështirë të përgatisësh një miqësore përpara një ndeshjeje zyrtare. Ne punojmë bashkë, jemi të lumtur, nuk ju besojmë miqësoreve si ndeshje të lehta.

– Kur luan 90 minuta duhet të performosh në maksimum. Edhe rezultati ka rëndësi ndaj pres shumë nga lojtarët. Kemi futbollistë që nuk kanë luajtur shumë ndaj pres shumë nga e tëra si skuadër. Dua që lojtarët të kënaqen në fushë por nuk e di se cili do të jetë formacioni ndaj Letonisë. Ndaj nesër është një mundësi e mirë për të gjithë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë