Politike

Qeveria shpërblen deri në 3 paga zjarrfikësit që luftuan kundër flakëve

Gazeta Si – Me nga një deri në 3 paga mujore do të shpërblehen të gjithë punonjësit që kanë marrë pjesë në luftën kundër zjarreve këtë verë.

Qeveria shqiptare miratoi këtë të martë vendimin që i jep shpërblim efektivëve të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Mbrojtjes Civile dhe shërbimeve zjarrfikëse.

Shpërblimi do të jepet në varësi të kohëzgjatjes së angazhimit të tyre në operacionet e shuarjes së zjarreve gjatë verës së këtij viti.

Ministria e Mbrojtjes përfiton një shtesë prej 193.140.098 lekësh, Ministria e Brendshme përfiton 69.615.100 le, ndërsa në Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, efektet financiare do të mbulohen nga buxheti ekzistues i Ministrisë së Brendshme për vitin 2025.

Sakaq, shërbimet zjarrfikëse në bashki do të financohen nga buxhetet përkatëse të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Disa ditë më parë, qeveria dekoroi me medalje “heronjtë” e luftës kundër zjarreve. Mes të dekoruarve me Yllin e Mirënjohjes Publike ishte edhe Komisar Agim Troci, i cili u plagos vetë pasi shpëtoi disa banorë të bllokuar nga zjarret.

Në total u dekoruan 23 efekektivë të policisë, zjarrfikseve dhe Forcave të Armatosura.

Gjatë stinës së verës, në Shqipëri u regjistruan shumë vatra zjarri. Disa prej tyre shkaktuan dëme të mëdha duke djegur shtëpi, banesa, stane, bagëti, ullishte etj.

Në operacionet e shuarjeve të zjarreve kanë marrë pjesë edhe avionë dhe helikopterë nga shtetet fqinje, por edhe Suedia e Emiratet. Qeveria ka premtuar një rishikim të Kodit Penal për zjarrvënien. Njëkohësisht ka premtuar edhe rindërtimin e disa banesave të djegura si dhe kompensim për bagëtitë dhe gjedhët e djegura.

Dëmet më të mëdha nga zjarret në vend u regjistruan në Delvinë dhe disa fshatra të Gramshit, ku një 80-vjeçar humbi jetën nga asfiksia, pasi i kishte vënë flakën mbeturinave në oborrin e banesë së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë