Art dhe Kulture

Një festival në nder të Maks Velos…

Nga Gazeta “SI”- Në 90-vjetorin e lindjes së artistit Maks Velo, Agjencia e Industrisë Kreative e përkujtoi përmes Festivalit “Maks Velo”, kushtuar intelektualit dhe disidentit të njohur shqiptar.

Me moton: “Një udhëtim në kohë, një kujtesë kolektive, që e ndajmë duke u bashkuar” festivali nisi më 31 gusht, datë që përkon me ditëlindjen e Maks Velos, me një panel diskutimi të zhvilluar në kinemanë “Maks Velo” në Laprakë.

Paneli përbëhej nga Alda Bardhyli, Ben Andoni, Artan Shkreli, Pirro Thomo, Ilda Mara dhe Suzana Varvarica, të cilët ndanë kujtime dhe reflektime mbi figurën e Velos, duke e përshkruar si një prej artistëve më modernë shqiptarë dhe si një individ që jetonte përmes artit.

Iris Canaj

Drejtoresha e Agjencisë së Industrisë Kreative, Iris Canaj, theksoi se ky panel u përzgjodh me kujdes nga njerëz që e kanë njohur nga afër Maks Velon dhe krijimtarinë e tij:

“Ky panel dhe kjo mbrëmje ishte një takim që na njohu me krijimtarinë dhe jetën e tij, apo që na kujtoi ‘bëmat’ e tij dhe mllefin për diçka më të mirë. A e kërkon edhe ti këtë gjë? Nëse po, përdore mllefin për të përmirësuar të përbashkëtën dhe jo për të rënë në apati”, – u shpreh Canaj.

Festivali “Maks Velo” është konceptuar si një festë përkujtimore që ndërthur aktivitete të shumta: shfaqjen e dokumentarit të Merlin Kaziaj mbi biografinë e artistit, punëtorinë artistike për fëmijë si një urë lidhëse mes brezash, si edhe guidat në objektet e konceptuara nga Maks Velo si arkitekt, udhëhequr nga Erilda Sulaj.

Aktivitetet e festivalit do të zhvillohen në disa lokacione, duke synuar të afrojë të rinjtë me artin, arkitekturën dhe mendimin e një intelektuali të rrallë, i cili mbetet shembull frymëzimi për shoqërinë shqiptare.

Maks Velo

Maks Velo nuk ishte thjesht një artist, por një ndërgjegje që sfidoi kohën dhe krijoi urë midis brezave. Kujtimi i tij mbetet një thirrje për të mos harruar se arti është gjithmonë rezistencë, vizion dhe dashuri për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë