Art dhe Kulture

Sezoni i ri në TKOB/ Opera, polifoni dhe rikthime të mëdha…

Nga Gazeta “SI”- Pas një vere të mbushur me turne në qytete të ndryshme të vendit, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor rikthehet në Tiranë me një sezon të ri artistik. Programi i shtatorit është një mozaik i pasur ngjarjesh muzikore, operistike dhe folklorike, që përhapet jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. 

Ajo që bie në sy është rikthimi, pas një viti e gjysëm i sopranos shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho, e cila do të performojë më 17 shtator. Ndërkohë, muaji shtator do të mbyllet me operën ‘La Traviata’ të Giuseppe Verdit, një kryevepër e krijuar gati dy shekuj më parë dhe e vënë në skenë qindra herë në teatrot më të njohur të botës.

Opera, polifoni dhe rikthime

Sezoni hapet më 8 shtator në Hollin Koncertor të TKOBAP-it me një mbrëmje të dedikuar kulturës malazeze, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Pak ditë më vonë, më 12 shtator, antikiteti i Bylisit do të bëhet skenë për tingujt e polifonisë shqiptare, ku Ansambli Popullor bashkohet me grupin “Bylis Polifonia” në një koncert të veçantë. Atmosfera festive do të zhvendoset më 16 shtator në Pezë, ku në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Ansambli Popullor do të shoqërojë përvjetorin e “Festës së Pezës” me këngë e valle tradicionale.

Një nga ngjarjet më të shumëpritura të muajit është rikthimi pas një viti e gjysmë i sopranos me famë botërore, Ermonela Jaho. Më 17 shtator, ajo do të ngjitet në skenën e TKOBAP-it me koncertin gala “Kur ndjenjat marrin zë”, një mbrëmje që pritet të ngjallë emocione të forta tek artdashësit.

Muzika do të vazhdojë të shtrihet edhe jashtë Tiranës: më 18 shtator, Teatri “Petro Marko” në Vlorë pret koncertin vokal-instrumental “Mullixhesha e Bukur” të Franz Schubert, ndërsa në të njëjtën datë, Pallati i Kongreseve bëhet mikpritës i Javës së Arabisë Saudite, ku Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore sjell një program të veçantë ndërkulturor.

Shtatori do të ketë gjithashtu aktivitete edukative: më 21 shtator, Kori i TKOBAP-it zhvillon iniciativën “Të dielën në opera” në Hollin Koncertor, duke afruar publikun e vogël me botën e muzikës së kultivuar. Ndërsa më 24 shtator, po në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, kultura kineze do të prezantohet me një shfaqje në Hollin Koncertor të Universitetit të Arteve.

Muaji mbyllet me një nga kryeveprat më të njohura të Giuseppe Verdit: opera “La Traviata”. Nga data 26 deri më 29 shtator, kjo vepër, e interpretuar me qindra herë në teatrot më prestigjioze të botës, do të ngjitet për katër netë me radhë në skenën e TKOBAP-it, duke kurorëzuar një muaj impenjativ dhe emocionues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë