Politike

Rama: Institucion i ri për menaxhimin e mbetjeve! Mjedisi, kapitulli më sfidues i negociatave

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të enjte projektligjin për krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, një ndërmarrje shtetërore e cila do të merret me menaxhimin e mbetjeve në nivel kombëtar. 

Rama e quajti trajtimin e mbetjeve si kapitullin më sfidues të negociatave me Bashkimin Europian.

Ai theksoi se procesi i reformave në fushën e mjedisit nuk do të administrohet nga bashkitë, por do të drejtohet në mënyrë të centralizuar, duke i cilësuar këto masa si vendimtare për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit.

Ai tha se ende mungon ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe përmirësimet në trajtimin real të mbetjeve.

“Do të çojmë përpara një paketë të re reformash dhe masash, për të cilat dua të them se, së pari, është projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ku kemi parashikuar krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, një ndërmarrje e re, e cila do të jetë në dispozicion të të gjithë republikës, do të jetë në dispozicion të pushtetit vendor, qytetarëve dhe misionit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke përqendruar procesin e grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve.

Nuk do të jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por proces i administruar nga ky operator kombëtar, në raport me të cilin bashkitë do të jenë klientë, njëlloj siç janë klientë të operatorëve të tjerë”, tha Rama në një takim me drejtues të pushtetit vendor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë