Nga Gazeta Si- Besa nga Gjirokastra është tashmë në rrugën për t’u bërë autore libri por jeta nuk ka qenë shumë bujare me të. Duke jetuar me Paralizë Progresive Supranukleare, e cila është një gjendje e rrallë neurodegjenerative që prek lëvizjen, shikimin dhe të folurit e saj, Besa dikur u përball me ditë të gjata heshtjeje dhe izolimi social. Gjendja e saj e bëri të vështirë për të që të kishte një jetë sociale, duke i lënë kreativitetin dhe idetë e saj të padëgjuara përtej mureve të shtëpisë së saj.
Kjo ndryshoi kur Qendra Sociale Komunitare Zinxhira premtoi se do e ndihmonte.
Ata i ofruan asaj një litar shpëtimi: fizioterapi në shtëpi, këshillim psikologjik dhe një hapësirë për të rizbuluar veten e saj.
Përmes këtyre seancave të vazhdueshme, Besa mësoi jo vetëm të përballonte sfidat emocionale, por edhe të përqafonte dhuntinë e saj të të rrëfyerit. Çka nisi si një ushtrim për të nxitur shprehjen e ndjenjave përmes shkrimit, shpejt u shndërrua në diçka më të madhe, librin e saj të parë. Përfundimi i kapitullit të parë i dha një ndjesi të thellë përmbushjeje dhe besim të rilindur për të ardhmen.
Nëna e saj dhe njëkohësisht mbështetësja e saj më e afërt, e kujton me krenari atë çast.
“Kur e përfundoi versionin e parë, pashë një dritë në sytë e saj e cila mungonte prej vitesh. Ajo ishte kaq krenare për veten. Edhe unë jam krenare për të.”
Fizioterapia po e ndihmon Besën të ruajë funksionet motorike dhe rehatinë fizike, ndërsa këshillimi e ka ndihmuar të flasë hapur për nevojat dhe shpresat e saj. Tani ajo merr pjesë në diskutime rreth kujdesit për veten, duke treguar autonomi dhe vendosmëri më të madhe. Me vetëbesimin në rritje, ajo tashmë edhe është frymëzuar të organizojë veprimtari rinore në qendra sociale, për të fuqizuar të tjerë si ajo dhe për t’i mbështetur ata në krijimin e miqësive dhe ndjenjës së përkatësisë.
Për Besën, kapitujt e radhës janë ende duke u shkruar. Përtej terapive, ajo mezi pret të ndajë shkrimet e saj publikisht e t’iu bashkohet veprimtarive të reja shoqërore. Për shoqërinë, kjo histori është një kujtesë se çdo i ri/e re, pavarësisht aftësive, ka diçka me vlerë për të kontribuuar.
“Ky është vetëm fillimi i historisë sime”, thotë Besa për Unicef.
*Emri është ndryshuar për të mbrojtur privatësinë saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



