SHBA i ka dhënë një goditje ekonomisë indiane me tarifat e miratuara duke nxitur një konflikt midis Uashingtonit dhe Nju Delhit.
Tarifa shtesë 25% mbi një tarifë tjetër po 25% hyri në fuqi këtë të mërkurë. Vendimi i Donald Trump vjen pasi dy shtetet dështuan në negociatat e tregtisë dhe India vazhdon të blejë naftën ruse. Ekspertët e shohin masën më shumë si presion ndaj Vladimir Putin për të ndaluar sulmet ndaj Ukrainës.
Shifrat tregojnë se eksportet e Indisë drejt SHBA-së, partneri më i madh tregtar i saj, do të reduktohen nga 86.5 mld dollarë në 50 mld dollarë. Industria e tekstileve, bizhuterive, gurëve të çmuar, tapeteve dhe karkalecëve të detit do të jenë më të prekurat, deri në 70% rënie duke rrezikuar mijëra vende pune.
Ekspertët llogarisin se tarifat amerikane mund të ulin me 1% PBB-në e Indisë, ekonomia me rritjen më të shpejtë në botë.
Zyrtarët e qeverisë indiane kanë bërë hapa drejt Rusisë dhe Kinës, me kryeministritn Narendra Modi që do të bëjë vizitën e tij të parë në Kinë në shtatë vite. Ministri i Jashtëm Subrahmanyam Jaishankar javën e kaluar inkurajoi kompanitë ruse që të angazhohen “më intensivisht” me Indinë.
Disa zyrtarë dhe analistë indianë besojnë se ngërçi reflekton pjesërisht një ftohje të lidhjeve personale midis Modi dhe Trump, i cili ka kërcënuar Apple për zhvendosjen e një pjese të prodhimit në Indi, është tallur me “ekonominë e vdekur” të vendit dhe ka tërhequr rivalin e tij më të madh Pakistanin.
Sipas tre personave të informuar për këtë çështje, Modi nuk komunikoi me Trump në prag të afatit tarifor, pasi ai ishte i shqetësuar se presidenti amerikan mund të përpiqej të shtrydhte koncesionet e minutës së fundit. Zyra e Modi nuk iu përgjigj një kërkese për koment./FinancialTimes
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



