Nga Gazeta “SI”- Më 26 gusht 1910, në Shkup, në një familje shqiptare me rrënjë nga Mirdita e Gjakova, lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Vajza e Kolë dhe Drane Bojaxhiut, që në fëmijëri tregoi shpirt të ndjeshëm e të përkushtuar, do të bëhej më vonë figura më e dashur e humanizmit botëror: Nënë Tereza e Kalkutës.
Që e vogël, Gonxhja ishte e apasionuar pas dijes, poezisë dhe muzikës, por mbi të gjitha e mbante gjallë një thirrje shpirtërore për t’u vënë në shërbim të të tjerëve. Në moshën 18-vjeçare mori emrin “Tereza” dhe vendosi t’i përkushtohej jetës prej murgeshe. Në shtator të vitit 1928, u largua nga Shkupi drejt Irlandës, duke u ndarë përgjithmonë nga nëna, motra dhe vëllai i saj. Pak vite më pas, rrugëtimi i saj e çoi në Indi, ku nisi misionin e shenjtë të shërbimit ndaj të varfërve.
Në Kalkutë, fillimisht punoi si mësuese e më pas drejtoreshë shkolle. Por shumë shpejt, thirrja e saj e brendshme e shtyu të dilte në rrugët e qytetit, pranë të braktisurve, të sëmurëve, jetimëve dhe atyre që askush nuk kujdesej. Aty themeloi urdhërin “Misionaret e Dashurisë” (1951), i cili shumë shpejt u përhap në mbarë botën. Përmes këtij misioni, Nënë Tereza u bë nënë për qindra mijëra fëmijë jetimë, strehë për të moshuarit e harruar dhe shpresë për të sëmurët që jetonin në skamje.

Shifrat e veprës së saj janë të jashtëzakonshme me mbi 7,500 fëmijë të kujdesur në shkolla, qindra mijëra të sëmurë të kuruar, dhjetëra mijëra viktima të lebrës të trajtuar dhe mijëra pleq e të braktisur që gjetën ngrohtësi në shtëpitë e saj. Thjeshtësia dhe përulësia e saj e bënë të afërt me çdo njeri nga më i varfri në rrugët e Kalkutës, deri te personalitetet më të larta botërore që shkuan për ta takuar.
Në vitin 1979, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, duke e bërë gjithë botën të njohë se shqiptarja e vogël nga Shkupi ishte kthyer në një simbol të dashurisë dhe mëshirës pa kufij. Por përkundër famës botërore, ajo mbeti e thjeshtë dhe me zemër të hapur për këdo.
Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997 në Kalkutë, duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme shpirtërore e humane. Kujtimi i saj sot nderohet me çmime, dekorata dhe institucione që mbajnë emrin e saj , nga aeroporti i Tiranës e deri te dekoratat më të larta në Shqipëri e Kosovë. Në vitin 2016, Kisha Katolike e shpalli Shenjtore, duke vulosur përjetësisht madhështinë e saj.

Nënë Tereza mbetet krenaria e shqiptarëve dhe shenjtore e njerëzimit, dritë e pashuar që frymëzon breza të tërë me mesazhin e saj të thjeshtë: dashuria dhe dhembshuria janë forca më e madhe që mund të ndryshojnë botën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



