Ne rrjet

‘Europa, një spektator pa zë dhe pa fuqi’

Nga Gazeta ‘Si’- Ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane dhe ish-kryeministri italian, Mario Draghi, ka shprehur kritika të forta ndaj ndikimit real të Bashkimit Europian në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar vitin 2025 si një pikë kthese të hidhur për projektin europian.

Në një fjalim të mbajtur së fundmi në Itali, Draghi deklaroi se ngjarjet e këtij viti kanë shuar përfundimisht iluzionin se pesha ekonomike e BE-së mjafton për të garantuar fuqinë dhe ndikimin e saj global.

“Viti 2025 do të hyjë në histori si viti kur u zhduk ky iluzion,” tha Draghi.

Sipas tij, dobësimi i Europës u bë i dukshëm gjatë negociatave me administratën e re të SHBA-së mbi çështjen e tarifave tregtare.

“U detyruam të pranojmë tarifa të vendosura ndaj nesh nga partneri ynë më i madh tregtar dhe aleati më i vjetër, Shtetet e Bashkuara,” theksoi ai.

Draghi shtoi se, përballë presionit amerikan, BE-ja u detyrua të rrisë ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen – një vendim që, sipas tij, ndoshta ishte i domosdoshëm, por që nuk u mor në mënyra që përfaqësojnë interesat europiane.

“Na u bë presion nga i njëjti aleat që të rrisim shpenzimet ushtarake, një vendim që ndoshta duhej marrë gjithsesi, por jo në forma dhe mënyra që reflektojnë interesat e Europës.”

Ai është ndër të parët liderë europianë që e artikulon kaq hapur shqetësimin mbi kostot dhe efektet e këtij drejtimi të ri strategjik.

Ndërkohë, Draghi kritikoi gjithashtu rolin pasiv të BE-së në konfliktet në Iran dhe Gaza, ndërsa për çështjen e negociatave të paqes në Ukrainë u shpreh se Europa ka luajtur një rol “relativisht dytësor”, pavarësisht faktit se ka qenë kontribuesja më e madhe në ndihmën ekonomike dhe ka interesin më të madh për një paqe të drejtë.

Në lidhje me raportin strategjik që ai vetë ka hartuar për konkurrueshmërinë europiane, Draghi kujtoi se prej vitesh ka kërkuar nga udhëheqësit evropianë forcimin e ekonomive të tyre, përmes propozimeve konkrete si krijimi i një unioni të tregjeve të kapitalit dhe financimi i inovacionit dhe projekteve të zhvillimit.

“Këto ngjarje shkatërruan përfundimisht iluzionin se dimensioni ekonomik, më vete, garanton ndonjë formë të fuqisë gjeopolitike,” përfundoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë