Ekonomi

Turistëve të huaj u ikën interesi për Shqipërinë. Shqiptarët po pushojnë jashtë!

Nga Gazeta ‘SI’ – Shifrat e turizmit për sezonin veror 2025 tregojnë një panoramë jo fort entuziaste.

INSTAT raporton, se në korrik të këtij viti janë regjistruar vetëm 0.4% më shumë të huaj se një vit më parë, ose 1.8 mln.

Në total, gjatë korrikut në Shqipëri raportohen 2.6 mln hyrje, me një rritje modeste prej 1.5% nga korriku i shkuar, kur rritja ishte 2.7%. Në shumicën e rasteve qëllimi i hyrjeve në Shqipëri është për pushime, por treguesi është rritur me vetëm 0.2% nga një vit më parë.  

Vizitorët nga Europa zënë 95% të hyrjeve të regjistruara, kryesisht Europa jugore. Në tendencë rritëse janë edhe vizitorët nga SHBA, Afrika e Azia.

INSTAT raporton një rritje të ndjeshme të shqiptarëve që kanë dalë nga vendi gjatë këtij muaji, 11%, përkthyer në 782 mijë. Korrikun e shkuar ky tregues ishte 1.7%.

Sezoni 2025, ndonëse nuk ka përfunduar ende është përshkruar si i zbehtë nga operatorët dhe turistët, ndryshe nga dy vitet paraardhëse. Për bizneset dhe qytetarët, problemet e shumta në infrastrukturë, fasilitete dhe informaliteti po mbajnë “peng” potencialin turistik të Shqipërisë.

Gjithsesi, Shqipëria vazhdon të dominojë listat e mediave botërore si një ndër vendet që duhet të vizitohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë