Futboll

Pas ‘Jackpot-it’ ka dhe të tjera

Nga Gazeta Si – Igli Tare po rezulton goditja më e mirë në merkaton e Milan 2025-2026. Drejtori Sportiv për të cilin fillimisht u hezitua ka shpërblyer besimin me shifra financiare që nuk shiheshin prej kohësh në spondën kuqezi të Milanos.

Pesë shitje për më shumë se 200 milionë euro, u shoqëruan me afrime të rëndësishme ku veçohet dardani Ardon Jashari (nga Club Brugge) si dhe veterani (në parametra zero) Luka Modric.

Mirëpo Tare nuk di të ndalet. Fillimisht ka rënë dakort për huazimin e Boniface nga Milan dhe pas kuintave po punon për mbërritjen te Vlahovic (Juventus).

Serbi i bardhezinjve bind drejtuesit dhe Milan do të provojë deri ditën e fundit ta veshë kuqezi. Në frontin e largimeve ka interes saudit për Fofana.

Al-Ahli e kërkon francezin për ta vendosur përkrah Kesie në mesfushë dhe ka gati 25 milionë euro për arkat e Milan.

Napoli ka paraqitur një ofertë substanciale (shifrat ende të panjohura) për Alex Jimenez të cilin Milan ia rrëmbeu Real Madrid Castilla-s.

Ndërsa Atalanta ka gati 25 milionë euro të tjera dhe këmbëngul për marrjen e Yunus Musah. Kaq mjafton për të kuptuar se shumë shpejt Milan do të faturojë përtej 300 milionë eurove nga merkato në dalje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë