Treg

NAREA: Rivlerësim me 3% për banesat, 5% për të tjerat. Tatimi 15% nxit informalitetin

Nga Gazeta ‘SI’- Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë, NAREA i ka kërkuar qeverisë që tatimi për banesat në rivlerësim të vendoset në masën 3% dhe për çdo tipologji tjetër pasurie në masën 5%.

Projektligji i propozuar nga qeveria parashikon nivelin 5% për të gjitha pronat

Në emër të mbi 115 Zyrave të Real Estate, NAREA argumenton se tatimi 15% i ka shkaktuar shtetit shqiptar më shumë humbje se sa fitim, si pasojë e informalitetit.

“Nga krahasimi i 5 viteve te fundit, në vitet 2020-21-22 kur tatimi ka qenë në nivelet 3%, në buxhetin e shtetit janë realizuar mesatarisht 44 milionë euro të ardhura në vit nga rishitja pasurive të paluajtshme. Kjo shifër është 60% me tepër në krahasim me vitet kur tatimi ka qenë 15%. Një e barrë fiskale kaq e lartë ngadalëson transaksionet, duke ngurtësuar investimet, ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore, me të paktën 40 milionë euro në vit si edhe nxit informalitetin”.

Propozohet që periudha e Rivlerësimit të jetë të paktën 12-mujore dhe jo 9-mujore, siç e ka projektligji. NAREA thotë se nga 4.5 milionë pasuri të paluajtshme, vlerësohet se vetëm 250 mijë pasuri kanë arritur të rivlerësohen në të shkuarën.

“Duke marrë në konsideratë eksperiencën në 3 periudhat e rivlerësimit, kur janë procesuar mesatarisht 30 mijë -33 mijë aplikime në vit, periudha 9 mujore e propozuar në projektligj vlerësohet si shumë e shkurtër dhe që nuk do arrij efektet e synuara”, shprehet shoqata në fjalë.

NAREA propozon gjithashtu “që të përfshihen si objekt i këtij ligji edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme që janë në proces, nëpërmjet kontratave të porosive, të cilat janë depozituar dhe regjistruar në ASHK në përputhje me legjislacionin në fuqi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë