Nga Gazeta “SI”- Në datat 22-23 gusht qyteti bregdetar i Shëngjinit do të jetë mikpritës i panairit të parë veror të librit “Valë dhe fjalë”, një ngjarje që premton të kthejë shëtitoren “Wilson” në një hapësirë idesh, debatesh dhe reflektimesh mbi letërsinë shqipe.
Ky aktivitet i veçantë do të mbledhë së bashku shkrimtarë, studiues, botues dhe dashamirës të librit, duke e vendosur Shëngjinin për dy ditë në epiqendrën e kulturës letrare.

Shtëpitë botuese më të njohura në vend do të prezantojnë botimet e tyre më të fundit, ndërsa gjashtë panele të pasura me emra të njohur të letrave shqipe do të ofrojnë diskutime mbi tema që prekin historinë, të tashmen dhe të ardhmen e letërsisë.
Në ditën e parë, më 22 gusht, panairi hapet me ceremoninë inauguruese e cila mbahet në orën 18:30. Në kuadër të paneleve të para, diskutimet fokusohen tek letërsia e viteve ’70-’80 dhe thyerja e kodit letrar, me pjesëmarrjen e shkrimtarëve më në zë të brezit të ashtuquajtur të 70-80-tës, Preç Zogaj, Rudolf Marku dhe Besnik Mustafaj.

Paneli i dytë e zhvendos diskutimin te tematika e së shkuarës dhe së ardhmes si subjekte letrare, ku kontribuojnë Alban Tufa, Ernest Marku dhe Liridon Mulaj, ndërsa në mbyllje të ditës, paneli i tretë shqyrton dualizmin mes prozës dhe poezisë si vokacion, me pjesëmarrjen Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Latif Mustafa.

Dita e dytë, më 23 gusht, fillon me ceremoninë e çmimeve të panairit, ku do të ndahen katërçmime kryesore, ai prozës më të mirë, i vëllimit më të mirë me poezi, i librit më të mirë studimor dhe çmimi special i panairit i cili jepet për shkrimtarë me një karrierë të gjatë , i emërtuar si çmimi “Ndoc Gjetja”.
Pas ceremonisë, diskutimet vijojnë mbi postmodernizmin në letërsinë e re shqipe, ku pjesëmarrës janë Meliza Krasniqi, Andreas Dushi dhe Monika Stafa. Paneli i radhës eksploron sfidat e librit përballë teknologjisë dhe vanitetit, me botuesit Frano Kulli, Elda Velaj, Bujar Hudhri dhe Irena Toçi.

Panairi përfundon me një debat mbi autorrëfimin dhe trillimin, me panelistë shkrimtarët e mirënjohur Namik Dokle, Ervin Nezha, Marash Mirashi dhe Hekuran Koka, duke mbyllur kështu dy ditë intensive reflektimi dhe diskutimesh letrare në Shëngjin.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



