Art dhe Kulture

Hapet në Prishtinë edicioni i 43-të i ‘Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare’

Nga Gazeta “Si”- Në Prishtinë ka nisur punimet edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili do të zgjasë deri më 29 gusht dhe ku do të marrin pjesë rreth 200 studiues nga vende të ndryshme të botës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi seminarin si ngjarjen më jetëgjatë në jetën kulturore të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e gjuhës shqipe si themel i kujtesës dhe imagjinatës njerëzore në kohën e zhvillimeve të shpejta teknologjike.

“Entuziazmi ynë për gjuhën shqipe, kulturën dhe artin duhet vetëm të rritet, ndërsa unë si kryeministër shpreh gatishmërinë për të mbështetur institucionet që kanë këtë detyrë fisnike,” tha Kurti.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, nënvizoi se ky seminar është “ngjarja më jetëgjatë” në historinë akademike të universitetit dhe ka për qëllim ruajtjen e rrënjëve të gjuhës e kulturës shqipe, duke shtuar se këtë vit do të zhvillohen 34 orë mësimi të shqipes për pjesëmarrësit e huaj.

Gjithashtu Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, theksoi se seminari është ngjarja kulturore më jetëgjatë në mbarë hapësirën shqiptare që nga viti 1974, ndërsa dekani i Fakultetit të Filologjisë, Abdullah Rexhepi, bëri të ditur se gjatë dy javëve do të mbahen 11 ligjërata, 84 referime dhe 50 kumtesa shkencore.

Aleksandar Rusakov

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i pranishëm në ceremoninë hapëse tha se seminari është shndërruar në një platformë të rëndësishme ndërkombëtare për studimet albanologjike, duke e cilësuar gjuhën shqipe si “një nga më të vjetrat në Evropë”.

Drejtoresha e seminarit, Lindita Sejdiu, e përmbylli hapjen duke e vlerësuar këtë aktivitet si “konceptin më të fortë të ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë”.

Disa prej studiuesve dhe shkencëtarëve të gjuhës më në zë do të referojnë mbi tema të letërsisë, gjuhësisë dhe kulturës shqiptare, parë nga këndvështrime të brendshmë por edhe universale, të cilat vinë nëpërmjet kumtesave nga studiues dhe albanologë të huaj.

I themeluar në vitet 70 , ky seminar pati disa vite ndërprerje gjatë viteve të luftës, për tu rikthyer sërish tashmë si një nga organizimet më dinjitoze në shërbim të gjuhës dhe kulturës shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë