Gazeta Si – Një 49-vjeçare, e cila ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpiak” në Durrës, jo vetëm ka ushtruar prostitucion, por ka bashkëpunuar në një plan grabitjeje të klientit të saj, në një krim të përsëritur.
Policia thotë se ka shpallur në kërkim Alma H., dhe ka arrestuar partnerin e saj, Robert Lamnica, 40 vjeç. Sipas policisë, ky i fundit ka qenë po në “arrest shtëpiak” për të njëjtën vepër si bashkëpunëtorja e tij, në një krim të mëparshëm, për të cilin po hetoheshin nga Prokuroria e Durrësit dhe ishin marrë nën akuzë prej muajit prill.
Operacioni është koduar “Last Threat”, ndërsa sipas hetimeve, të dy e kanë kryer veprën e vjedhjes së celularit dhe një shume parash një klienti 44-vjeçar. Marrëdhëniet seksuale ishin ofruar në banesën e të dyshuarës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin R. L., 40 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, dhe shpallën në kërkim shtetasen A. H., 49 vjeçe, banuese në Durrës. 49-vjeçarja, ndërkohë që ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”, dyshohet se i ka ofruar marrëdhënie seksuale, kundrejt pagesës, në banesën e saj, një 44-vjeçari. Në këtë banesë, shtetasi R. L. i ka marrë me dhunë 44-vjeçarit, celularin dhe një shumë parash”, bëri me dije policia.
Në operacionin e muajit prill të këtij viti, dy persona u arrestuan nga policia e Durrësit, pasi merreshin me prostitucion dhe më pas i kërcënonin klientët me thikë për t’u marrë para.
Në pranga ka rënë edhe një person tjetër, pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë të ndarë në doza gati për shitje. Të arrestuarit në atë aksion ishin Robert Lamnica, Armand Hysa dhe 49-vjeçarja Alma H.
Policia njoftoi se të dyshuarit i kërcënonin klientët e tyre duke u bërë shantazh nëpërmjet publikimit edhe të fotografive, ose dhe i grabisnin me dhunë, si në rastin e fundit me klientin 44-vjeçar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



