Politike

Qeveria u mblodh për partinë, partia mblidhet për qeverinë

Mentor Kasa – Fundjavën e fundit të muajit gusht, Kryeministri Edi Rama mblidhte në një takim informal në vilën qeveritare të Vlorës ministrat e tij. Takimi i beftë në ditët e fundit të pushimeve zyrtare u shoqërua me gumëzhimet mediatike për ndryshime në qeveri.

Në media dolën edhe emrat e përfolur që do të largoheshin dhe në disa prej artikujve ndryshimet shfaqeshin të sigurta. Por, ajo që nisi si një mbledhje qeverie, edhe pse informale, përfundoi në një mbledhje partie. Në fund të punimeve dyditore i vetmi vendim ishte ai i mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së.

Asambleja u mblodh sërish më 7 shtator. Pritshmëritë ishin për një “ditë gjykimi” të punës për kabinetin “Rama 2”. “A do të pasojë kjo mbledhje ndryshime në qeveri?”, ishte pyetja që po qarkullonte me shpejtësi.

Zërat bazoheshin kryesisht në një deklaratë të muajit prill të Kryeministrit Edi Rama, kur ishte në vazhdim e sipër fushata e “llogaridhënies me qytetarët”. Gjatë mbledhjes së Asamblesë më 28 prill Rama i qortoi të gjithë, që nga kryetarët e degëve, e deri tek ministrat e kabinetit të tij. Këta të fundit i akuzonte se ishin shkëputur nga qytetarët dhe paralajmëronte ndryshime në qeveri në muajin shtator, në bazë të bilancit që do të dilte në fund të “llogaridhënies”.

Por shpejt pyetja e ndryshimeve në qeveri mori përgjigje. Asambleja u mblodh, por siç fjala e urtë thotë: “u mbars mali e polli një mi”, asgjë nuk ndryshoi.

Tani, në prag të pushimeve të fundvitit, Kryeministri mbledh sërish të tijtë. Këtë herë thirri në takim kryesinë e partisë. Mbledhja u mbajt pas protestës së studentëve, skandalit me tenderat në Unazën e Madhe dhe akuzave të opozitës.

Mbledhja zgjati 5 orë dhe pa praninë e mediave. Burime nga brenda mbledhjes thonë se Kryeministri Edi Rama ka qenë i pakënaqur me apatinë e strukturave të Forumit Rinor të Partisë Socialiste. Sipas tij, ky forum ka bërë shumë pak sa i takon diskutimeve për ligjin e arsimit të lartë dhe për çështjen e tarifave të studimit në universitete.

Në përfundim të saj, Kryeministri nuk përmendi konkretisht emrat e individëve apo strukturave partiake, por foli për “vetëkorrigjim”, që sipas tij në kushtet e mungesës së opozitës është një detyrë akoma më e vështirë.

Kryeministri nuk foli me bindjen e muajit prill për ndryshime në Qeveri, por e la një derë të hapur për këtë. Rama tha se çdo gjë do të ndodhë në kohën e vet, se “nuk e thotë fjalën e fundit të parë dhe se njeh radhën lëvizjeve, pasi gjithmonë mendohet gjatë para se të bëjë një lëvizje”.

Pra, edhe njëherë tjetër u ushqyen mediat dhe opinioni publik me mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar, ku emrat më të përfolur për t’u larguar janë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ai i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Nikolla shihet si më e rrezikuara për shkak të protestës së studentëve dhe largimi i saj mund të interpretohet si përpjekje e mazhorancës për të zbutur intensitetin e tubimeve të paralajmëruara në fillim të vitit të ardhshëm nga grupet organizatore.

Damian Gjiknuri, një prej emrave më të akuzuar nga opozita, ka qenë edhe në muajin gusht mes emrave që mund të largoheshin. Por, këtë herë gjasat që kjo të ndodhë shtohen edhe më shumë pas skandaleve me tenderat në Unazën e Madhe, ku kompania “DH Albania” u shpall fituese edhe pse kishte falsifikuar dokumentacionin.

Arben Ahmetaj dhe Ogerta Manastirliu janë dy emrat e tjerë të akuzuar nga Partia Demokratike. I pari akuzohet drejtpërdrejtë, ndërsa Manastirliu për gjendjen e shëndetësisë. Kryeministri mund të vendosë largimin, jo vetëm për të zbutur akuzat e opozitës, por edhe për të qetësuar zërat e shumtë qytetarësh dhe anëtarësh të Partisë Socialiste, të pakënaqur me performimin e ekonomisë dhe gjendjen e shëndetësisë në vend.

Këta janë emrat dhe “arsyetimet” e mundshme që Kryeministri mund të vendosë për të ndryshuar kabinetin, por është e madhe gjithashtu edhe mundësia që të mos ketë asnjë ndryshim, të paktën deri pas zgjedhjeve të pushtetit vendor, që zhvillohen më 30 qershor të vitit të ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë