Ne rrjet

Shpërblimet dhe sa fitojnë ushtarët rusë në front, nga bonuset te kompensimi (edhe nëse vritesh)

Një shumë e garantuar prej 22,000 dollarësh është menjëherë në dispozicion për ata që regjistrohen. Nëse kapet një tank i tipit “Leopard”, një ushtar merr 12,000 dollarë. Në rst plagosjeje? Një goditje në kokë vlen 36,000 dollarë, ashtu si një krah i amputuar

Gazeta Si – Mes arsyeve që mund ta shtyjnë një qytetar rus të regjistrohet për të marrë pjesë në luftën në Ukrainë, janë paratë.

Në të vërtetë, veshja e një uniforme ushtarake dhe dërgimi në front është një burim të ardhurash (të konsiderueshme), si për personin e regjistruar, ashtu edhe për familjen e tij.

Pagat e ushtarëve, tashmë të larta krahasuar me punëtorin mesatar rus, janë rritur në muajt e fundit, pa marrë parasysh bonuset dhe përfitimet e tjera financiare të ofruara.

Bonusi – Siç raporton gazeta italiane “Il Messaggero”, qytetet ruse janë të mbushura me postera që i ftojnë njerëzit të regjistrohen. Thjesht telefononi numrin 117 dhe pas një vizite, nëse jeni të kualifikuar, do të dërgoheni në front.

Sipas burimeve lokale, qytetarët e kryeqytetit Moskë, që synojnë të regjistrohen, marrin një bonus të menjëhershëm nënshkrimi prej 1.9 milionë rublash, afërsisht 22,000 dollarë.

Kjo u njoftua në muajt e fundit nga zyra e kryetarit të bashkisë, Sergei Sobyanin. Ushtarët e rinj gjithashtu marrin një pension dhe qasje në kredi me interes të ulët. Pra, shumë para.

Paga – Paga mesatare mujore në Rusi është ekuivalente me rreth 900 dollarë. Revista e pavarur në gjuhën angleze, “The Moscow Times”, me seli në Amsterdam, Holandë, raporton se kontratat ushtarake me ushtrinë ruse ofrojnë një pagë mujore prej 200,000 rublash, afërsisht 2,200 dollarë, praktikisht dy herë e gjysmë më e lartë se mesatarja. Disa rajone të Rusisë, megjithatë, kanë rritur pagesat një herë për ata që rekrutohen.

“Lista e çmimeve” të luftës – Përveç pagës mujore dhe stimujve financiarë, ekziston edhe një “listë çmimesh” që ofron një “shpërblim” bazuar në përpjekjet dhe fitoret e arritura në betejë.

Siç raporton sërish “Il Messaggero”, për kapjen e një tanku të tipit “Leopard”, një ushtarak merr 12,000 dollarë; një raketë “Himars” e shkatërruar, vlen 3,600 dollarë; dhe një helikopter i rrëzuar vlen 2,400 dollarë.

Po medalje në luftë? Edhe 12,000 dollarë të tjerë. Dhe nëse  plagosesh në betejë? Edhe në këtë rast fitohet parà: një goditje në kokë vlen 36,000 dollarë, ashtu si një dëmtim një këmbë ose një krah i amputuar.

Për një dorë të thyer, ushtari “fut në xhep” 12,000 dollarë. Pa dyshim, në rast vdekjeje, familja merr kompensim.

Efektet – Perspektiva e të ardhurave të larta i bën qytetarët rusë nga rajonet më të varfra të zgjedhin të regjistrohen. Aktualisht, sipas vlerësimeve, Rusia rekruton rreth një mijë ushtarë në ditë, dyfishi i asaj të Ukrainës.

Megjithatë, ekonomistja Tatyana Mikhailova, i tha “Moscow Times” se rritjet e pagave kishin vetëm një efekt të kufizuar në përgjithësi.

Luftëtarët e Koresë së Veriut – Në front nuk ka vetëm rusë, por edhe koreanë të Veriut. Presidenti rus Vladimir Putin i shkroi një letër Kim Jong-un këtë të premte, 15 gusht, duke i quajtur trupat e Phenianit që luftojnë në vijat e frontit në Ukrainë “heroike”.

Në përvjetorin e Ditës Kombëtare të Çlirimit të Koresë, shefi i Kremlinit kujtoi se njësitë e Ushtrisë së Kuqe dhe koreanët luftuan së bashku për t’i dhënë fund pushtimit japonez të gadishullit.

“Lidhjet e miqësisë militante, vullnetit të mirë dhe ndihmës së ndërsjellë, të konsoliduara gjatë luftës shumë kohë më parë, mbeten të forta dhe të besueshme sot”, tha Putin.

“Kjo u demonstrua plotësisht nga pjesëmarrja heroike e ushtarëve nga RPDK-ja”, emri zyrtar i Koresë së Veriut, “në çlirimin e rajonit Kursk nga pushtuesit ukrainas. Populli rus do ta kujtojë përgjithmonë guximin dhe sakrificën e tyre”.

Presidenti rus shtoi se të dy vendet do të vazhdojnë të “veprojnë së bashku dhe në mënyrë efektive të mbrojnë sovranitetin e tyre, duke kontribuar ndjeshëm në krijimin e një rendi botëror të drejtë dhe shumëpolar”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë