Ne rrjet

Në takimin me Putinin, Trump nuk do të ketë këshilltarë!

Gazeta Si – Kur presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin të takohen të premten (në 21:30 me orën shqiptare) në një bazë ushtarake në Anchorage të Alaskës, delegacioni amerikan ka të ngjarë të mos ketë me vete analistë të Rusisë ose Ukrainës: pothuajse të gjithë janë shkarkuar nga puna në muajt e fundit, siç raportoi “Financial Times”.

Takimet e rëndësishme si ajo me Putinin, zakonisht përgatiten dhe koordinohen nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, një organ i ngarkuar me këshillimin e presidentit të SHBA-ve për çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë dhe koordinimin e punës së departamenteve të ndryshme.

Por në muajt e fundit, Këshilli, i cili nën drejtimin e ish-presidentin Joe Biden kishte më shumë se 300 anëtarë, është zvogëluar me më shumë se gjysmën.

Organi aktualisht nuk ka as një kryetar, pasi i emëruari fillestar i Trump, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Ëaltz dha dorëheqjen, pasi ndau gabimisht informacione të klasifikuara ushtarake në një bisedë me një gazetar të revistës “The Atlantic”.

Roli i tij po plotësohet në mënyrë të përkohshme nga Sekretari i Shtetit (domethënë, ministri i Jashtëm), Marco Rubio.

Departamenti i Shtetit do të ishte një vend tjetër ku administrata Trump mund të mbështetej te ekspertët për këshilla, por edhe atje, më shumë se 1,300 persona u pushuan nga puna muajin e kaluar, përfshirë shumë analistë që mbulojnë Rusinë dhe Ukrainën.

“Mund të themi me siguri se nuk ka asnjë këshilltar ekspert për Rusinë dhe Ukrainën që mbështet Trumpin”, tha Eric Rubin, një ish-diplomat gjatë administratës së parë të Trump, për “Financial Times”.

Ky është një rezultat i parashikuar nga administrata. Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, Trump ka pushuar nga puna mijëra punonjës federalë, pjesërisht duke pretenduar se dëshiron të kufizojë shpërdorimin dhe pjesërisht, sepse beson se shumë punonjës mbështesin një “ideologji radikale” të krahut të majtë, siç e tha Marco Rubio kur urdhëroi pushimet nga puna në Departamentin e Shtetit.

Për më tepër, Trump ka zgjedhur sistematikisht njerëz bazuar në besnikërinë personale, jo në kompetencë.

Ndërsa gjatë mandatit të tij të parë, ai ishte i rrethuar nga ata që quheshin “të rriturit në dhomë” – njerëz kompetentë dhe të përgjegjshëm që ia frenonin instinktet më të këqija – por këta njerëz nuk janë më aty sot.

Për të udhëhequr negociatat në Ukrainë (dhe midis Izraelit dhe Palestinës), Trump ka zgjedhur Steve Witkoff, një ish-zhvillues pasurish të patundshme pa përvojë në politikën e jashtme dhe, në fakt, me një kuptim të dobët të çështjes ruso-ukrainase. Megjithatë, Witkoff është një mik personal i hershëm i Trump.

Problemi është se Trump mund të ketë nevojë për njerëz me përvojë për ta këshilluar gjatë një takimi si ai në Alaska.

Putin njihet si një politikan i aftë në këto situata, në gjendje të manipulojë dhe drejtojë bisedën aty ku dëshiron dhe të surprizojë bashkëbiseduesin e tij.

Fiona Hill, një studiuese e respektuar që e këshilloi Trumpin për Rusinë gjatë mandatit të tij të parë, tha se gjatë një konference të përbashkët për shtyp midis Trump dhe Putinit në Helsinki në vitin 2018, gjërat shkuan aq keq dhe Trump u manipulua aq shumë, sa “mendova të simuloja një krizë epileptike” që gjithçka të mbaronte më shpejt.

Është e vërtetë se shumë gjëra kanë ndryshuar që nga viti 2018. Trump është me të vërtetë më me përvojë dhe mbi të gjitha, ai ka humbur të paktën një pjesë të admirimit që ndjente dikur për presidentin rus.

Në fakt, në javët e fundit, ai është bërë i paduruar me të për pengimin e vazhdueshëm të një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë.

Këtë herë Trump tha se ishte i bindur se do të ishte në gjendje të kuptonte nëse Putini po e gënjente apo jo që në shikim të parë, sapo të takoheshin.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë