Ka ndodhur

Tetë të arrestuar për zjarrvënie në Krujë, Berat, Dimal dhe Memaliaj

Gazeta Si – Tetë persona janë arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme orët e fundit në Krujë, Berat, Dimal, Lushnjë dhe Memaliaj.

Sipas policisë, një 19-vjeçar në fshatin Brakanesh të Krujës është arrestuar, pasi dyshohet se u ka vënë zjarrin ullishteve të fqinjëve të tij.

I riu, i identifikuar si Endri Doku rezulton të ketë precedentë të mëparshëm kriminalë, ndërsa aktualisht gjykata i kishte caktuar masë sigurie “arrest shtëpie” për shkak të kultivimit të bimëve narkotike.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve që 19 vjeçari kishte me fqinjët për motive pronësie. Nga përhapja e flakëve në territorin e fshatit, janë djegur sipërfaqe toke të konsiderueshme, të mbjella me ullinj.

Një 61-vjeçar, Shezai Banaj, u arrestua, pasi ndezi zjarr në parkun kombëtar të Vjosës, në Mezarak, duke çuar në djegien e një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe 300 rrënjëve me ullinj.

Në fshatin Dushk të Lushnjës, është identifikuar një tjetër piroman, Arjan Kaja, 58 vjeç i cili ndezi zjarr në tokën e tij, e për pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme. Madje, 58-vjeçari pengoi edhe zjarrfikësit në përpjekjet për të vënë në kontroll situatën.

Po ashtu, policia njofton se 4 persona janë arrestuar për zjarret në Berat dhe në Dimal, si autorë të zjarrvënieve në lagjen “Uznovë” dhe në fshatrat Osmëzezë dhe Drenovicë. Si pasojë e këtyre zjarreve u rrezikuan banesa dhe sera, si dhe u dogjën sipërfaqe toke dhe pemë frutore.

Të arrestuarit në Berat janë: -Sh.D., 49 vjeç, banues në lagjen “Uznovë”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në këtë lagje, ku si pasojë janë rrezikuar banesa dhe është djegur një sipërfaqe toke;

-Z. M., 56 vjeç, banues në fshatin Osmëzezë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në këtë fshat, ku si pasojë janë djegur sipërfaqe toke dhe pemë frutore në pronësi të 2 shtetasve.

Të arrestuarit në Dimal: janë S.M., 53 vjeç dhe L.B., 56 vjeç, të dy banues në fshatin Samatic, pasi dyshohet se kanë ndezur zjarre në fshatin Drenovicë, ku janë djegur pemë ulliri, si dhe është rrezikuar djegia e disa serave.

Ndërkoh, në Memaliaj, Bashkim Lika, 62-vjeç ka rënë në prangat e policisë, pasi vendosi zjarr në zonën e pyllëzuar të fshatit Iliras, në vendin e quajtur “Hams”.

Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj territori i fshatit Koshtan, sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, rreth 400 pemë frutore dhe 3 banesa (aktualisht të pabanuara).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë