Nga Gazeta “SI”– Në zemër të Malësisë së Madhe, në Qafën e Predelecit të fshatit Lepushë, u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më simbolike të traditës malësore: Logu i Bjeshkëve. Ky manifestim kulturor dhe historik mblodhi këtë vit një numër të madh pjesëmarrësish dhe vizitorësh nga e gjithë treva, ku pas një konkurimi të fortë, Aurora Lumaj, malësore nga Vukli i Kelmendit dhe me banim në Kanada, u shpall “Miss Bjeshka 2025”.
Logu i Bjeshkëve, një traditë me rrënjë shumëshekullore është një manifestim i pasurisë shpirtërore të Malësisë së Madhe, ku përfaqësohen veshjet tradicionale me xhubleta mbi 4000 vjeçare, këngët polifonike, vallet e lashta, instrumentet e lojërat popullore.

Historia e Logut të Bjeshkëve
Zgjedhja e vendit të Qafës së Predelecit në Lepushë nuk është rastësore. Ky vend ka një histori mbi tre shekullore kuvendesh dhe mbledhjesh fisnore, ku vendosej për paqen dhe luftën në Malësinë e Madhe. Alabanologu dhe studiuesi Franc Nopça e ka identifikuar këtë vend si një nga vendet kryesore të kuvendeve në këtë trevë.
Pamja nga Qafa e Predelecit është mahnitëse dhe vlerësohet si një kryevepër natyrore e Kelmendit dhe perlë e Alpeve Shqiptare. Në këtë vend, për shumë vite është kremtuar festa fetare e Shna Prendes më 26 korrik, me këngë, valle dhe lojëra popullore.
Në të kaluarën, “Logu i Bjeshkëve” zhvillohej si një ngjarje fetare ku vajzat e zonës garonin në bukuri dhe hijeshi, duke u vlerësuar nga komuniteti në një atmosferë festive. Kjo traditë, e njohur dikur si “Logu i Nuseve”, kishte karakter fetar dhe kulturore, ndërsa pjesëmarrësit visheshin me kostumet kombëtare të trevës, ku spikatnin xhubleta për gratë dhe çakçirët për burrat.

Në Log zhvilloheshin edhe lojëra popullore si loja për të fituar bajrakun (flamurin), loja me shami të kuqe dhe gjuajtja e shenjit me armë, që përbënte pikën kulmore të festës.
Ndërprerja dhe Ringjallja e Traditës
Gjatë periudhës së regjimit komunist, kjo traditë u ndërpre, pasi u konsiderua e papërshtatshme dhe u zëvendësua me festa ideologjike. Megjithatë, me rënien e regjimit në vitin 1990, dhe sidomos gjatë periudhës së pluralizmit në fund të viteve ‘90, “Logu i Bjeshkëve” u ringjall , duke rifilluar traditën dhe duke i dhënë asaj edhe elemente bashkëkohore.
Sot, Logu është bërë një manifestim me vlera të mëdha kulturore dhe artistike, ku bukuria e vajzave shoqërohet me prezantimin e trashëgimisë kulturore të Malësisë, duke u kthyer në një festë që bashkon brezat dhe ruan identitetin e malësisë së veriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



