Rend dhe Ligj

Si u zbulua Flodian Plaku! Policia përgjoi berberin dhe personin që i çonte ushqim

Gazeta Si – Flodian Plaku ka qenë nën vëzhgim për rreth dy muaj para se të arrestohej të dielën në mesditë në një hotel në Orikum të Vlorës.

Përveç 43-vjeçarit, në pranga ranë edhe 4 bashkëpunëtorët e tij, të cilët i kishin krijuar të gjitha kushtet për ta mbajtur të fshehur.

Policia tha se i arrestuari Albano Lapshi, i çonte ushqim në hotel Flodian Plakut, ndërkohë Armando Dano ishte berberi që shkonte në hotel për ta qethur.

Sipas policisë, bashkëpunëtor i tij dyshohet edhe Ligor Doko, pronar i hotelit ku u arrestua. Ndërsa julian Aliaj, që u kap me pistoletë në hotel, ka qenë i dënuar me parë për trafik droge.

Sipas burimeve, në ditën e ndërhyrjes dhe arrestimit të tij, është ndjekur edhe lëvizja e Albano Lapshit dhe Armando Danos, me origjinë nga Shkodra, i njohur si “berberi”, të cilët po shkonin drejt hotelit ku fshihej Plaku.

Flodian Plaku alias Florjan Serjani (Mamo) akuzohet për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja, më datë 15.03.2024, i cili u qëllua me armë zjarri brenda rrethimit të banesës së tij.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar te banesa e viktimës, me një automjet tip “Land Rover” dhe pas kryerjes së vrasjes, janë larguar në fshatin Hasan, ku kanë djegur automjetin.

Flodian Plaku, i njohur edhe me nofkën “Qorri” ose “Pole”, dyshohet se ka pasur rol të drejtpërdrejtë në ngjarjen e rëndë kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë