Nga Gazeta ‘SI’ –Transporti ajror në vend ka shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, si në volum mallrash ashtu edhe në numrin e pasagjerëve.
Sasia e mallrave të transportuar, përfshirë edhe postën, ka arritur në afro 799 tonë, duke regjistruar një rritje prej 42.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e këtij volumi, rreth 67.5%, përbëhet nga mallra të ardhura, ndërsa pjesa tjetër prej 32.5% janë mallra të nisura drejt destinacioneve të tjera.
Ndërkohë, numri i udhëtarëve që kanë përdorur linjat ajrore ka kaluar shifrën e 3 milionëve, një rritje me 6% krahasuar me periudhën prill-qershor të vitit 2024, kur u regjistruan rreth 2.8 milionë pasagjerë.
Sa i përket tregtisë ajrore, janë regjistruar 583 tonë mallra të importuara dhe eksportuara, me një rritje modeste prej 2.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pavarësisht rritjes, mallrat e importuara me rrugë ajrore zënë vetëm 0.02% të totalit të importeve në vend.

Gjatë kësaj periudhe, transporti ajror është kryer nga 29 kompani ajrore, ku vetëm njëra prej tyre është shqiptare, ndërsa 28 janë të huaja. Hapësira ajrore shqiptare ka përpunuar mbi 110 mijë fluturime, nga të cilat rreth 83% janë fluturime mbikalimi.
Rrugët detare mbeten pikat kyçe të tregtisë së mallrave për Shqipërinë, me portin e Durrësit që kryen rolin kryesor, ndjekur nga Vlora, Saranda dhe Shëngjini. Në tremujorin e dytë 2025, volumi i mallrave të tregtuara me det (eksport dhe import) është 1.545 mijë ton. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky tregues është ulur me 0.1 %. Volumi i mallrave të eksportuara me det në tremujorin e dytë 2025 zë 27.9 % ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të eksportuara. Volumi i mallrave të importuara me det në tremujorin e dytë 2025 zë 66.9 % ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të importuara
Në total, në portet shqiptare kanë hyrë 276 anije, nga këto 253 anije janë të huaja dhe 23 anije vendase. Numri i anijeve të hyra dhe të dala në porte është rritur me 10%, ku numri anijeve të huaja është rritur me 16,1 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2024.
Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare në vend është 330.630 persona. Porti i Sarandës është porti nga i cili kanë udhëtuar 54% e pasagjerëve, ndjekur nga porti i Durrësit me 40.3 % dhe më pas porti i Vlorës me 5.7%.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



