Drejtësia

Krimet zgjedhore/ Dumani: Strategjia ka pasur efekt parandalues, 193 kallëzime! 

Nga Gazeta ‘Si’– Krimi zgjedhor ka qenë prioriteti kryesor i SPAK gjatë gjithë procesit zgjedhor sipas kreut të SPAK, Altin Dumani.

Para gazetarëve, Dumani theksoi se SPAK u angazhua që prej muajit mars dhe gjatë gjithë fushatës, me një strategji që synonte parandalimin e shkeljeve, dhe sipas tij, kjo strategji dha rezultat.

Sipas Dumanit janë administruar nga SPAK 193 materiale, në të cilat janë gjetur prova që janë në proces. Dumani theksoi gjithashtu se dy persona janë arrestuar në flagrancë, dhe janë marrë 16 vendime gjykate për kontrolle.

“Janë 193 materiale të administruara në total. 80 materiale, kallëzime nga shtetasit. 10 të nisur kryesisht. Nga 43 të regjistruara, 1 është dërguar në gjyq, 1 i pezulluar, 1 i përcjellë për kompetencë. Janë arrestuar 2 vetë në flagrancë. 16 vendime gjykate për kontrolle. Rezultatet kanë qenë të kënaqshme. Janë gjetur prova për çështjet qe i kemi në proces”.

Sipas Dumanit, prokurorët kanë prioritet trajtimin e këtyre çështjeve dhe tha se janë siguruar prova për disa prej hetimeve në proces.

“Prokurorët kanë prioritet çështjet e krimeve zgjedhore. Në 43 raste është vendosur mosfillim, pasi nuk ka pasur elementë të veprës penale. Kryesisht kanë qenë nga partitë politike. Vetëm 3 prej tyre janë ankimuar dhe gjykata ka konfirmuar prokurorinë”.

I pyetur nëse ka pasur apo jo asfalt elektoral, punësime të paligjshme, apo përdorim të administratës, Dumani u përgjigj:

“Në rastet që kemi hetuar, nuk ka pasur. Nuk marr përsipër të them për më shumë. A ka hetim për financimin e fushatave? Deri më tani nuk kemi hetim penal. Për korrupsionin zgjedhor, a keni zyrtarë në hetim dh deri në ç’ nivel të hierarkisë shtetërore? Po kemi zyrtarë. Për nivelin, në një moment të mëvonshëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë