Gazeta Si – Kryeministri Mark Carney ka thënë se Kanadaja planifikon të njohë shtetin palestinez në shtator, duke u bërë vendi i tretë i G7 që bën një njoftim të tillë ditët e fundit.
Carney tha se ky veprim varet nga reformat demokratike, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve nga Autoriteti Palestinez vitin e ardhshëm pa Hamasin.
Komentet e tij vijnë një ditë pasi Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do të njihte një shtet palestinez në shtator nëse Izraeli nuk pranonte një armëpushim dhe kushte të tjera dhe një javë pasi Franca zbuloi një plan të ngjashëm.
Arritja e një marrëveshjeje dypalëshe tregtare me Kanadanë është bërë “shumë e vështirë”, tha presidenti amerikan, Donald Trump, pasi kryeministri kanadez, Mark Carney njoftoi se vendi i tij synon të njohë shtetin palestinez në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
“Kanadaja sapo njoftoi se mbështet një shtet palestinez. Kjo do ta bëjë shumë më të vështirë për ne të bëjmë një marrëveshje tregtare me ta”, tha republikani në Truth Social.
SHBA-të dhe Kanadaja janë në negociata për të arritur një marrëveshje tregtare prej muajsh pas shtyrjes disa herë të afatit të hyrjes në fuqi të tarifave të Trump.
Ministria e Jashtme e Izraelit e hodhi poshtë njoftimin e Kanadasë, duke e quajtur atë “një shpërblim për Hamasin”.
Shumica e vendeve – 147 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së – e njohin zyrtarisht shtetin palestinez. Carney tha se Kanadaja do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet së shpejti.
Ai përmendi zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza dhe sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi si arsye për ndryshimin dramatik të politikës së jashtme të Kanadasë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




