Gazeta Si – Vetëvrasje. Ky është përfundimi i arritur nga çdo hetim i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-ve për vdekjen e Jeffrey Epstein, e cila ndodhi më 10 gusht 2019, në një qeli në Qendrën Korrektuese Metropolitane (MCC), burgu federal në Manhatan.
Autopsia e kryer një ditë më pas, raporti përfundimtar i hetimit të brendshëm të Departamentit të Drejtësisë i publikuar në qershor 2023 dhe, së fundmi, deklarata e vetë Departamentit të Drejtësisë – e bashkëfirmosur nga FBI – e publikuar më 7 korrik, e kanë konfirmuar gjithmonë këtë version.
Por një sërë elementësh, që kanë dalë gjatë gjashtë viteve të fundit, kanë dhënë shkas për më shumë se një dyshim, përfshirë dhe hipotezën se financieri i futur në terlashe nuk u vetëvra.

Vlerësimi psikologjik
Epstein u arrestua më 6 korrik 2019, në Aeroportin Teterboro, New Jersey, pas kthimit të tij nga Parisi. Akuzat ishin serioze: komplot për të kryer trafikim seksual dhe trafikim seksual.
Kjo nuk ishte hera e parë që ai hetohej nga sistemi i drejtësisë amerikane. Në vitin 2008, ai u deklarua fajtor për nxitje prostitucioni dhe nxitje të një të mituri për prostitucion para një gjykate në Florida dhe u dënua me 13 muaj burg dhe një vit lirim me kusht.
Megjithatë, në vitin 2019, ai u deklarua i pafajshëm dhe u dërgua në Qendrën e Strehimit të Posaçëm (QBP), ku u mbajt në paraburgim për 22 orë në një qeli të përbashkët, përpara se të transferohej në një qeli në Njësinë Speciale të Strehimit, zona për të burgosurit e mbajtur në izolim për shkak të famës së tij të keqe dhe vëmendjes së medias kushtuar çështjes së tij.
Dy ditë pas arrestimit të tij, Epstein iu nënshtrua një kontrolli fillestar rutinë psikologjik. Sipas një memorandumi të përpiluar pas vdekjes së tij, të datës 17 shtator 2019, financieri mohon çdo qëllim vetëvrasës.
Ndërkohë, nëpërmjet avokatëve të tij, ai kërkoi që t’i jepej “arrest shtëpiak”, i cili do të kryhej në shtëpinë e tij në Upper East Side (një rezidencë 22,000 metra katrorë e shitur në vitin 2021 për 51 milionë dollarë).

Më 18 korrik, një gjyqtar e hodhi poshtë kërkesën, duke përmendur rrezikun që i burgosuri të kryente krime të mëtejshme ose të përpiqej të arratisej jashtë vendit. Avokatët e tij apeluan, por Epstein vdiq para se kërkesa të dëgjohej.
Refuzimi për të dhënë “arrest-shtëpiak”, në fakt “ishte një zhgënjim i madh për Epsteinin”, thuhet në dokument.
Natën e 23 korrikut, financierit i jepet ndihma e parë në një gjendje gjysmë të pavetëdijshme, me lëndime në qafë që i bënë oficerët të besonin se ai kishte tentuar vetëvrasje. Prandaj, ai u transferua në një dhomë tjetër, ku qëndroi për 31 orët e ardhshme nën vëzhgim.
Pastaj u kthye në qelinë e tij. Askush nuk e ka përcaktuar ndonjëherë me siguri nëse ishte një tentativë vetëvrasjeje apo një sulm nga shoku i tij i qelisë, një vrasës i shumëfishtë.
Sidoqoftë, dokumenti thotë se në ditët në vijim financieri tregoi disa shenja shqetësimi: ai kishte vshtirësi për të fjetur, ankohej për zhurmat e vazhdueshme në qelinë e tij dhe për këtë arsye shpesh i mbulonte veshët me duar, e quante veten “frikacak” dhe përsëriste se nuk mund ta përballonte dhimbjen.

“Identiteti i tij”, përfundon memoja, “bazohet në pasurinë e tij, pushtetin e tij dhe lidhjet e tij me njerëz të tjerë të profilit të lartë. Në ditët e tij të fundit, ai përsëriti disa herë se po luftonte për t’u përshtatur me jetën e tij të re si i burgosur”.
I njëjti dokument nxjerr në pah një fakt: se më 9 gusht, një gjykatës federal lejoi publikimin e mbi 2.000 faqeve dokumente të paraqitura në një padi për shpifje të ngritur nga Virginia Giuffre (një nga vajzat viktimë të përfshira nga Epstein mes njerëzve të famshëm) kundër Ghislaine Maxwell, ish-e dshura e financierit, e cila aktualisht ndodhet në qeli e dënuar për këtë çështje.
Në të njëjtën kohë, shoku i ri i qelisë së Epstein – protokolli për të burgosurit nën vëzhgim psikologjik dikton që ata nuk lihen kurrë vetëm – u transferua dhe askush nuk e zuri vendin e tij.
Financieri u takua me avokatët e tij, bëri një telefonatë të fundit me të dashurën e tij dhe më pas, pak para orës 20:00 të mbrëmjes, u kthye në qelinë e tij.
Një tjetër dokument, që detajon orët e fundit të Epstein minutë pas minute, e përshkruan atë si “me humor të mirë: asgjë të pazakontë”.

Nata e fundit
Ndërsa kthehej në qelinë e tij, Epstein u filmua nga një prej kamerave të sigurisë së burgut. Ishte ora 7:49 e mbrëmjes më 9 gusht.
Objektivi përqendrohet në zonën e përbashkët të “S.H.U”, ku mbahet financieri: është një dhomë e madhe katrore, me një korridor të ngushtë në secilën anë, ku secila prej tyre përmban 8 qeli.
Këto korridore janë gjithashtu të pajisura me një kamera, por ajo regjistron vetëm pamjet filmike, pa i arkivuar imazhet në asnjë mënyrë.
Prandaj, të vetmet video nga ajo natë, janë ato që tregojnë zonën e përbashkët: nuk mund të shihet dera e qelisë së Epsteinit dhe po ashtu edhe shkallët që të çojnë në korridor.
Pas orës 19:49, u regjistrua vetëm një lëvizje: një person – njëri nga dy rojet, sipas Departamentit të Drejtësisë – duke ecur në zonën e përbashkët në orën 22:39 dhe 22:41. Askush tjetër nuk u shfaq në video deri në orën 6:33 të mëngjesit të nesërmen, kur ra alarmi.
Kjo pavarësisht faktit se dy rojet në detyrë, atë natë duhej të kontrollonin Epstein çdo gjysmë ore, siç kërkohet nga protokolli për të burgosurit nën vëzhgim psikologjik.

Një hetim i brendshëm më vonë zbuloi se dy rojet ecën nëpër dhoma të tjera atë natë, shfletuan internetin dhe ranë në gjumë për dy orë. Të dy më vonë, dolën në gjyq për falsifikim të të dhënave të kontrolleve të asaj nate: ata pranuan fajësinë.
I njëjti hetim, megjithatë, theksoi se dy rojet po punonin jashtë orarit, sepse MCC kishte mungesë stafi: njëri prej tyre kishte punuar pothuajse 24 orë atë ditë.
Në orën 6:33 të mëngjesit më 10 gusht, Epstein u gjet pa ndjenja në qelinë e tij. Dy rojet u përpoqën ta ringjallnin me CPR. Pas dy minutash, u thirr një ambulancë, e cila mbërriti në orën 6:45 të mëngjesit.
Epstein u intubua dhe iu dhanë tre doza epinefrin (adrenalinë), por zemra e tij nuk arriti të rifillonte të pulsonte.
Në orën 7:10 të mëngjesit, ai u ngarkua në ambulancë dhe u transportua në Spitalin Beekman. Në orën 7:36 të mëngjesit, mjeku e shpalli Epsteinin, 66 vjeç, të vdekur.

Autopsia
Më 11 gusht, një ekzaminuese mjekësore, Kristin Roman, kreu autopsinë, e ndihmuar nga Michael Baden, një mjek i caktuar nga vëllai i vetëm i Epsteinit, Mark.
Pas katër orësh, Roman arriti në përfundimin se shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohej: “Në pritje”, shkroi ai në raport.
Megjithatë, më 16 gusht, superiorja e tij, ekzaminuesja mjekësore Barbara Sampson, deklaroi se Epstein “i mori jetën vetes, duke u varur”. Prova, tha ajo, erdhi nga prova të tjera që i ishin paraqitur. Dëshmi që nuk janë bërë kurrë publike.
Nga ana tjetër, Baden është i bindur se ishte një vrasje. Dhe në janar 2020, ai dëshmoi në programin popullor të CBS-së, “60 Minutes”.
Sipas mendimit të tij, disa prova tregojnë në këtë drejtim. Së pari, një kockë dhe dy kërcij në qafën e Epsteinit, tregojnë fraktura që përputhen me vrasjen me mbytje, sesa me vetëvrasje.

Së dyti, ka disa hemorragji okulare, të cilat janë gjithashtu më të zakonshme në vrasjet me mbytje, sesa në vetëvrasje.
Së treti, shenjat në qafë nuk ndodhen nën nofull, por në mes të qafës: sikur dikush ta kishte mbytur viktimën nga prapa.
CBS konsultoi ekspertë të tjerë të patologjisë mjeko-ligjore: disa pajtohen, të tjerë nuk pajtohen, duke argumentuar se frakturat janë të zakonshme edhe tek vetëvrasjet e të moshuarve dhe Epstein ishte 66 vjeç kur vdiq.
Megjithatë, të gjithë arrijnë në të njëjtin përfundim: vetëm me një foto që tregon pozicionin e Epsteinit kur u gjet, mund të përcaktohet me siguri shkaku i vdekjes.
Ekzistojnë qindra foto të qelisë së Epsteinit, të bëra në mëngjesin e 10 gushtit. Megjithatë, ajo foto nuk ekziston, sepse dy rojet që e gjetën atë në orën 6:33 të mëngjesit, edhe një herë, nuk ndoqën protokollin.
Kur hynë në qeli, në realitet, nuk kishte shpresë për të shpëtuar financierin. Autopsia më vonë e përcaktoi këtë: kur ra alarmi, Epstein kishte qenë i vdekur për të paktën dy orë.

Në këto raste, ligji kërkon që “vendi i ngjarjes” të mos jetë i prekur. Kjo nuk ndodhi atë mëngjes. Autopsia dhe dëshmia e dëshmitarëve, zbuluan se Epstein u gjet me një copë çarçaf të mbështjellë rreth qafës, të lidhur në majë të një krevati marinari në qelinë e tij.
Ai u gjet i gjunjëzuar, i përkulur. Duke iu përgjigjur CBS, Baden thekson një mospërputhje të supozuar: si është e mundur që një burrë 1.88 metra i gjatë dhe 84 kg të ketë varur veten nga një krevat marinari dhe që shishet në raftin e të njëjtit krevat, qëndruan të gjitha në këmbë të palëvizura dhe të parrëzuara?
Ekziston një tjetër mospërputhje e dukshme: në qeli u gjetën dy litarë, të bërë nga çarçafë ngjyrë portokalli. Ai që u analizua gjatë autopsisë, i kishte të dyja skajet të palosura dhe të qepura.
Por roja që u përpoq ta ringjallte Epsteinin, zbulon CBS, tha se ai e preu pëlhurën për të liruar trupin e tij para se të fillonte t’i jepte ndihmën e parë. Dhe laku i ekzaminuar nuk tregon prerje.

Neglizhenca
“Stafi i burgut krijoi të gjitha kushtet e nevojshme që Epstein të kryente vetëvrasje në burg”. Ky është përfundimi i një hetimi të gjatë të brendshëm nga Departamenti i Drejtësisë, i cili në qershor 2023 publikoi një raport përfundimtar më shumë se 120 faqe.
Përveç problemeve të lartpërmendura me sistemin e mbikëqyrjes, ai zbuloi gjithashtu neglizhencë nga ana e rojeve të MCC, të cilët i siguruan Epstein çarçafë, batanije dhe uniforma shtesë, “edhe pasi ai kishte tentuar vetëvrasje” më herët.
Për më tepër, ata i siguruan financierit sende të ndaluara, përfshirë një stilolaps, të cilin Jeffrey e përdori për të shkruar një shënim, të gjetur në qelinë e tij: “Më mbajtën në një kabinë dushi të mbyllur me çelës për një orë. Më dhanë ushqim të djegur. Buburrecat gjigantë zvarriteshin nëpër duart e mia. Nuk ishte argëtuese”.
I njëjti dokument, megjithatë, regjistron një bisedë midis Epsteinit dhe shokut të tij të fundit të qelisë: “Mos e vrit veten”, – e këshilloi ai. “Mos u shqetëso”, – përgjigjet financieri.

Misteri i videos
Dokumenti më i fundit zyrtar në çështjen “Epstein” është dokumenti dyfaqësh i publikuar më 7 korrik nga Departamenti i Drejtësisë dhe FBI. Përveç mohimit të ekzistencës së një “liste klientësh” të Epstein, ai konfirmon se financieri kreu vetëvrasje.
Dhe ofron prova të reja: “Përfundimi se Epstein i mori jetën vetes, mbështetet më tej nga pamjet filmike nga zona e përbashkët e Njësisë Speciale të Strehimit (S.H.U), ku Epstein ishte i mbyllur në kohën e vdekjes së tij”.
Videoja e bashkëngjitur dokumentit është një material 10 orë e 52 minuta, që përfshin nga ora 19:49 më 9 gusht 2019, deri në orën 6:39 të mëngjesit më 10 gusht. Imazhet janë “të paprera dhe të papërpunuara”, thekson memorandumi.
Misteri i parë: 62 sekonda pamje filmike mungojnë, pak para mesnatës. Ministrja e Drejtësisë, Pam Bondi shpjegoi se boshllëku nuk është asgjë e pazakontë; ishte mënyra se si funksiononin sistemet e mbikëqyrjes së burgjeve në atë kohë. Një rivendosje standarde e sistemit, në fakt.

Së dyti, një hetim digjital nga faqja e internetit “Wired” zbuloi se pamjet filmike në fakt përbëhen nga dy klipe të ndara: i pari përfundon në orën 23:58 dhe 58 sekonda më 9 gusht.
Versioni përfundimtar u modifikua disa herë para se të publikohej dhe 2 minuta e 53 sekonda u prenë nga fundi i klipit të parë.
Është e pamundur të dihet nëse ato 173 sekonda zbuluan ndonjë gjë domethënëse. Por ky lajm ishte i mjaftueshëm për të nxitur dyshimet e shumë njerëzve që besojnë se Epstein nuk kreu vetëvrasje.
Donald Trump gjithashtu i ushqente këto dyshime: në mbrëmjen e 10 gushtit 2019, nga Shtëpia e Bardhë, ai ripostoi një postim në Tëitter që shkruante: “Vdiq nga VETËVRASJA gjatë vëzhgimit 24/7 për vetëvrasje? Po, sigurisht! Si është e mundur kjo?”.
Presidenti ka ndryshuar mendje që atëherë. Më 8 korrik, kur një gazetar pyeti për memorandumin e publikuar një ditë më parë, ai u përgjigj me zemërim: “A po flet ende për Jeffrey Epstein?”
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



