Treg

Rivlerësimi, shoqata e pasurive të patundshme: Në këtë kohë godet tregun dhe ofertën

Publikimi i një drafti me qëllim Rivlerësimin e pronave në vend nuk është pritur mirë nga aktorë të tregut imobiliar.

Në një njoftim për mediat, Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme, NAREA, e quan këtë zhvillim pengesë që do të ngadalësojë tregun imobiliar.

“Projektligji për Rivlerësimin e Pasurive të Paluajtshme është i mirëpritur, por nxitimi i pajustifikuar për t’a publikuar për konsultim kur hyrja në fuqi është pas 6 muajsh do të ketë efekte ngadalësuese dhe negative në treg”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Duke rikujtuar atë që ndodhi verën e shkuar, kur deputetja Blerina Gjylameti dha propozimin e Rivlerësimit dhe tregu mori një goditje, NAREA parashikon një situatë të ngjashme.

“Si çdo produkt tjetër, transaksionet me pasuritë e Pasuria e Paluajtshme udhëhiqen nga pritshmëritë. Ngjashëm me situatën e paprecedentë të 12 muajve më herët, një lajm që në Janar 2026 mund të ketë Rivlerësim, veç sa shkakton turbulenca në Real Estate, godet krahun e ofertës duke lënë pa zgjidhje sfidat e një strehimi të Përballueshëm”, shprehen përfaqësuesit e shoqatës.

Drafti doli në konsultim dy ditë më parë, shoqëruar dhe nga çmimet e reja të referencës. Rivlerësimi pritet të nisë në janar 2026 dhe të mbyllet në shtator 2026. Propozohet që tatimi të jetë 5%, nga 15% që paguhet aktualisht nëse shet pronën. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet.

 Qeveria Rama ka njoftuar se ky do të jetë Rivlerësimi i fundit nën qeverisjen socialiste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë