Treg

Projektet luksoze të Trump dhe Alabbar/ Çmimet referencë në Sazan dhe Durrës arrijnë 2.000 euro/m2

Nga Gazeta ‘SI’- Nisma e qeverisë për të rivlerësuar pronat është shoqëruar dhe me rritje të çmimeve të referencës nga veriu në jug.

Zona e ish-Bllokut në Tiranë kryeson listën me çmim referencë 228 mijë lekë për metër katror ose 2.2 mijë euro.

Pas kryeqytetit, zonat më të shtrenjtë janë ishulli i Sazanit dhe porti i Durrësit, ku një metër katror tokë kushton 200.000 lekë ose 2 mijë euro. Çmimet e rritura duket të jenë të lidhura me dy projektet luksoze që pritet të zhvillohen në Sazan nga familja Trump dhe në Durrës nga miliarderi arab Mohammed Alabbar.

Tabela e miratuar nga ministria e Financave tregon një rritje të konsiderueshme të çmimeve përgjatë të gjithë bregdetit. çmimet e reja për Himarën kapin 1.4 mijë euro/m2.

Drafti i qeverisë thotë se Këshilli Bashkiak mund të miratojë shkallë të taksës brenda kufijve +30% (plus tridhjetë për qind) -30% (minus tridhjetë për qind). Sipas metodologjisë çmimeve mesatare referuese janë bazuar mbi shitblerjet e 4 viteve të fundit, vendndodhjen dhe sistemin urban dhe një parashikim për tendencat e ardhshme të tregut imobiliar.

Mungesa e referencave të pronave për të gjitha bashkitë e vendit po mbante peng dhe Rivlerësimin, që qeveria e kishte projektuar prej dy vitesh. Referencat e reja u miratuan në korrikun e vitit 2023 vetëm për Tiranën, e cila është e ndarë në 32 zona ku çmimi çmimet u rritën deri në 76 për qind në pika të ndryshme të kryeqytetit.

Qeveria Rama ka njoftuar se ky do të jetë Rivlerësimi i fundit në vend, të paktën nën qeverisjen e socialistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë