Treg

Sigurimi i detyrueshëm/ Sa do të paguajnë shqiptarët për banesat? Shërbimin e ofron privati!

Nga Gazeta ‘SI’ – Projektligji i ri i qeverisë për sigurimin e detyrueshëm të banesave përcakton edhe masën e dëmshpërblimit të mbuluar në raste katastrofe.

Në draft thuhet se pronari i banesës do të mbulojë deri në 2% të dëmit dhe pjesa tjetër nga shteti me anë të parave që paguhen nga qytetarët si sigurim i detyrueshëm. Primi do të llogaritet sipas një metodologjie ku përfshihen lloji i ndërtesës dhe nëse shtëpia është e ndërtuar në një zonë shumë sizmike apo jo. Dëmshpërblimi do të jepet brenda 3 muajve.

Këto para shkojnë në Fondin për Tërmetet, që parashikohet të vihet në funksion pas miratimit të draftit.

Edhe pse e gjithë skema parashikohet të jetë shtetërore, ka vend edhe për kompanitë private. Ato do të jenë “ndërmjetësit” që i ofrojnë qytetarëve produktin dhe paratë ia kalojnë shtetit. Kompanitë e sigurimit, në këmbim, do të përfitojnë një komision. Për shtresat sociale në nevojë, do të jetë shteti ai që do të financojë primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet. Ky sigurim do të mbulojë vetëm dëmet në pronë dhe jo ato që lidhen me jetën.

Në të njëjtin projektligj, qeveria thekson se kush refuzon të paguajë sigurimin, do t’i mohohen shërbime kadastrale, shërbime nga e-Albania dhe QKB.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë