Gazeta Si – Policia dhe Prokuroria e Fierit kanë zhvilluar një operacion gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të enjteje, duke arrestuar 4 ish- zyrtarë të bashkisë të akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Për ish-nënkryetaren e bashkisë, Adela Hysenajn, e cila ka mbajtur së fundmi edhe postin e drejtoreshës së taksave dhe urbanistkës, është caktuar “arrest shtëpie”.
Ajo akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Bëhet djalë për një dosje që lidhet me mosvjeljen e taksës së parkimit nëntokësor që administron bashkia, me një dëm prej 40 mln lekësh sipas prokurorisë.
Konkretisht, ata akuzohen se duke mos vepruar për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor, nuk kanë arkëtuar 40 milionë lekë në arkat e institucionit.
Gjithashtu akuzohen se “nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregtare në Fier, kundrejt përfitimit”.
Sipas prokurorisë dhe policisë, “arrest në shtëpie” u dha për 34-vjeçaren Hysenaj, banuese në Fier, ish-drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
E njëjta masë sigurie është caktuar edhe për Vasil Çekun, ish-drejtorin e koordinimit dhe verifikimit tek tatimet.
Ndërkohë janë pezulluar nga puna dy zyrtarë të tjerë, Anisa Cjapi, ish-drejtoreshë e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave, si dhe Martin Dodi, Sekretar i Përgjithshëm i bashkisë për ndikim të paligjshëm.
“”Arrest në shtëpie” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Vasil Ceku, 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për Anisa Cjapi, 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për Martin Dodi, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Fierit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



