Ka ndodhur

Tiranë, 2 vëllezër dhunojnë pronarin e lokalit rival pas denoncimit për zaptim të hapësirave

Gazeta Si – Vëllezërit Ferhat dhe Olti Kaja, të cilët rezultojnë të jenë pronarë të lokalit “Stockholm”, përballë kompleksit “Delijorgji”, u shpallën në kërkim nga policia e Tiranës, pasi dyshohet se janë autorë të dhunimit të një tjetër pronar lokali në atë zonë, “Tokyo”, Laert Kasaj.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, ndërsa shkak dyshohet të jetë bërë një konflikt për hapësirat publike.

Burime pranë policisë thonë se në ditët e fundit, nëpër faqe të ndryshme online, ka pasur disa denoncime të ndryshme për mos heqjen e pjesëve metalike mbi trotuar.

Vëllezërit Kaja, me dyshimet se biznesi i tyre ishte publikuar nga Kasaj, kanë shkuar për t’i kërkuar sqarim, por Kasaj menjëherë ka reaguar keq dhe ka nisur t’i ofendojë.

Në këtë moment të tre janë rrahur me grushte me njëri-tjetrin, por më i dëmtuar ka mbetur Kasaj, i cili është dërguar në spital për mjekim për disa orë. Vëllezërit Kaja vijojnë të jenë në kërkim.

Lidhur me këtë ngjarje, biznesmeni Laert Kasaj ka reaguar publikisht përmes rrjeteve sociale. Ai shprehet se persona me mjete të forta i kanë shkuar poshtë zyrës dhe e kanë dhunuar.

Biznesmeni thekson se nuk ka bërë asnjë denoncim, ashtu siç pretendojnë autorët. Sipas dëshmitarëve, në momentin e sulmit një nga agresorët i është drejtuar Laert Kasajt me fjalët: “Pse më ke denoncuar?”. Motivi i sherrit dyshohet se është prishja e tendave pa leje pavarësisht se dhe restoranti “Tokyo” është prekur nga aksioni i IKMT në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë