Njerez

Dhuna online, për herë të parë regjistrohen raportime nga 6-10 vjeçarët në iSIGURT

Nga Gazeta Si- Për herë të parë këtë vit, në raportin e përvitshëm të iSIGURT u vërejt se ka raportime të të incidenteve serioze online nga fëmijë të moshës 6-10 vjeç, një grupmoshë që nuk kishte raportuar më parë, me 4 raste, shumica e viktimave vajza.

Në raport thuhet se gjatë vitit 2024, numri total i incidenteve të raportuara arriti në 437, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej 66.8% krahasuar me vitin 2023, kur u regjistruan 244 raste. “Kjo rritje tregon një vetëdijesim dhe angazhim më të madh në raportimin dhe trajtimin e çështjeve përkatëse”, thuhet në raport.

Grupmosha që raporton më shumë incidente online është 15-18 vjeç, me 174 raste, që “tregon se të rinjtë në këtë fazë të jetës janë më të ekspozuar ndaj incidenteve të raportuara”.

Pasojnë grupmoshat 19-24 vjeç (78 raste) dhe 25-35 vjeç (63 raste). Ndërkohë, shumica e raportimeve vijnë nga Tirana, me 201 raste, ndjekur nga Durrësi me 36 raste dhe Kukësi me 22 raste. Ndërsa 15 raportime janë bërë nga shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Vajzat përbëjnë shumicën e raportuesve, duke përbërë 73% të rasteve (236 raporte), ndërsa djemtë raportuan 27% të rasteve (168 raporte).

“Ky trend përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me vitet e mëparshme, kur raportimet bëheshin kryesisht nga djemtë. Megjithëse vajzat tani përbëjnë një pjesë më të madhe të raportuesve, kjo rritje e numrit të vajzave të përfshira në incidentet e raportuara ngre shqetësime të mëtejshme për sigurinë e vajzave në rrjetet sociale dhe mjediset e tjera digjitale”, thuhet në raport.

Incidentet më të shpeshta të raportuara kanë të bëjnë me kërcënimet, përndjekjen dhe shantazhin online, të cilat përbëjnë rrezikun kryesor për fëmijët dhe të rinjtë. Pas tyre renditen bullizmi kibernetik dhe gjuha e urrejtjes online.

Një nga çështjet më shqetësuese të identifikuara ishte shpërndarja e materialeve që përmbajnë përmbajtje të abuzimit seksual ndaj fëmijëve (CSAM), që mbetet një prioritet kryesor për ndërhyrje, pavarësisht se u raportuan 25 raste në këtë kategori.

Nga analiza e të dhënave, vërehet se muaji mars dallon me numrin më të lartë të incidenteve të raportuara, gjithsej 71 raste.

Në vitin 2024, platformat digjitale vazhduan të jenë hapësirat kryesore ku ndodhin incidentet, me TikTok që udhëheq listën e platformave më të raportuara, duke regjistruar 1,564 raste. Pas TikTok, ishte Telegram me 157 raste, ndërsa Instagram dhe Facebook raportuan nga 118 raste secila.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë