Ka ndodhur

Hakmarrje me tritol në Sarandë? Shpërthen makina e të kërkuarit për plagosje me armë zjarri

Gazeta Si – Një shpërthim i fortë me tritol alarmoi qytetarët e Sarandës mbrëmjen e të hënë pak para mesnatës në lagjen nr.3.

Sipas policisë, rreth orës 23:50 shpërtheu në flakë makina e parkuar e Klaus Jaçajt, 31-vjeçarit të shpallur në kërkim nga policia për përfshirjen e tij pas një sherri me armë për motive pronësie më 17 korrik, ku mbetën të plagosur Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj.

Policia e Sarandës bëri me dije se nuk raportohet për asnjë person të lënduar, pasi mjeti ka qenë i parkuar pranë një pallati.

Lënda plasëse shkaktoi panik tek qytetarët të cilët u larguan me vrap nga zonat ku po qëndronin.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një rast hakmarrje, pasi i riu gjatë sherrit për shfrytëzimin e plazhit publik në Sarandë, u kishte ardhur në ndihmë vëllezërve Ramadan Zoto alias Canaj dhe Erjon Canaj, të cilët gjithashtu janë të shpallur në kërkim për plagosje me armë zjarri.

Për ngjarjen e ndodhur më 17 korrik u arrestua edhe njëri prej të plagosurve, Gëzim Hajdaraj për armëmbajtje pa leje.

Në kërkim është gjithashtu edhe Artan Muraj, nën akuzën e përkrahjes së dy vëllezërve që dhunuan dhe më pas plagosën dy të rinjtë.

Dy vëllezërit e shpallur në kërkim janë persona me precedentë të mëparshëm penal. Ramazan Zoto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë