Nga Gazeta ‘SI’ – Një raport i prezantuar sot mbi problematikat e arsimit të lartë në vend ka shkaktuar debat midis akademikëve dhe qeverisë.
Raporti i Bordit Akademik, prezantuar nga kryetarja Shqiponja Telhaj konkludon se në universitetet shqiptare ka profesorë me mungesë arsimi ose arsim në fusha që nuk përputhen me mësimdhënien. Raporti thekson dhe problematika të tjera si mungesa e literaturës.
Gjetjet u kundërshtuan nga rektori i universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, ku tha se gjetjet janë të gabuara dhe se raporti është i njëjtë me atë të një viti më parë.
“Unë zoti kryeministër, nëse e mbani mend, ju kam kërkuar në fund në mbledhjen e tetorit 24, më jepni dy minuta. Edhe ju kam thënë se sido të përmirësohet ky raport i bazuar në metodologji të gabuar, konkluzonet do t’i nxjerrë të gabuara dhe ne sot e pamë që nga rekomandimet, s’ka ndryshuar asnjë gjë. E pamë që asgjë nuk ka ndryshuar në mënyrë të qenësishme. Thjesht ka një kozmetikë por konkluzionet janë po të njëjta, të cilat një pjesë e tyre i pranojmë se e dimë ku është arsimi, por që unë nuk e kam, thënë atëherë nuk besoj se Shqipëria mund të pranojë që pas 5 vitesh intensive pune, arsimi i lartë të jetë aty aty apo diku edhe më pak në performancë se ai i viteve 15 apo 16 të këtij shekulli”, u shpreh Hoxha.
Telhaj, iu kundërpërgjigj Hoxhës duke e quajtur fyerje mendimin e tij mbi raportin.
“Është fyerje për bordin sepse kjo punë është voluminoze dhe kemi parë mbi 200 raporte apo vendime. Kur u mblodhëm para 1 viti na u kërkua që të shtojmë dhe vitin 2023 dhe gjetjet e bordit janë pjesë e strategjisë së qeverisë. Kemi plotësuar sugjerimet që na u dhanë atëhere. Ne duhet të flasim me fakte dhe jo me mendimin tonë, nuk mund të thuash që nuk beson të dhënat që kemi nxjerrë ne. Kritikuat metodologjinë por nuk sollët një shembull se ku është e gabuar”, tha drejtuesja e Bordit Akademik.
Kryeministri Edi Rama ndërhyri me batuta në debat, duke i etiketuar si “zogj” Hoxhën dhe Telhajn, por ra dakord se të dhënat janë jo eficiente. Ai tha se universitetet duhet të luftojnë me plagjiaturën.
“Sherri me shifrat dhe faktet nuk është asnjëherë i arsyeshëm. Thelbi është se rekomandimet qëndrojnë. 41 uninversitete në 1 vend kaq të vogël që në 1 masë të madhe kanë programe gjeneraliste, prodhojnë gjithcfarëlloj doktorësh. Duhet të fokusohemi për të bërë një transformim domethënëse për këtë periudhë. Me të dhënat jeni ibret. Jemi në fazën belbëzuese për kërkimin shkencor. Nuk besoj se është faji i pasqyrës kur pasqyra na thotë disa të vërteta. Janë të gjitha të vërteta dhe piketa se si duhet t’i shikojmë gjërat. Dalim tek programet që kemi një problem të madh. Mbahen për të pasur student e jo për të prodhuar ekonomi apo dije. Jemi larg ndërkombarizimit dhe nëse nuk e pranojmë, nuk ecim dot përpara. Ambicia jonë duhet të jetë më e madhe. Duhet të rishpikemi përditë. Që ky është atdheu i plagjiaturës kjo dihet. I vetmi element që nuk është adresuar është plagjiatura”, tha Rama.
Rama përmendi dhe problemin me stafet duke sugjeruar tërheqjen e pedagogëve nga diaspora.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



