Ne rrjet

Gjyqet, 330 paditë kundër administratës Trump (dhe të gjitha ato të ngritura nga Donald)

Analiza mbi gjyqtarët, Gjykatën Supreme, Harvardin dhe "ius soli". Presidenti amerikan sfidon ligjet lokale dhe median në gjykatë (për miliarda dollarë)

Gazeta Si – Janë gjithsej rreth 330 padi të ngritura kundër administratës së presidentit Donald Trump. Gjykatat e niveleve më të ulëta kanë bllokuar ose kufizuar shumë nga veprimet e tij, ndërsa Gjykata Supreme ka hapur rrugën për disa iniciativa të presidentit, ndërkohë proceset gjyqësore vazhdojnë.

Gjykatësit kanë ndaluar të paktën për momentin përpjekjet e Trump për të ndaluar aplikimin e “ius soli” për disa kategori emigrantësh, për të ndëshkuar studio ligjore dhe Universitetin Harvard, si dhe për të përdorur rregulla të parashikuara në kohë lufte për dëbimin e emigrantëve, duke anashkaluar rrugën normale gjyqësore.

Në fund të qershorit, Gjykata Supreme, në një vendim mbi “ius soli”, edhe pse nuk ka dhënë një vlerësim për kushtetutshmërinë e tij, ka kufizuar fuqinë e gjykatave federale për të ndaluar vendimet e Shtëpisë së Bardhë në nivel kombëtar, shkruan gazeta “Corriere della Sera”.

Gjykata i dha administratës Trump 30 ditë kohë për t’i zbatuar këto vendime, ndërsa procesi vazhdon (duke përfshirë një padi kolektive).

Gjykatësit e Gjykatës Supreme gjithashtu lejuan Trump të kryejë shkarkime masive në agjencitë federale dhe i dhanë Doge, agjencisë për efikasitetin qeveritar, akses në të dhëna sensitive të sigurimeve shoqërore të miliona amerikanëve. Shumica e vendimeve janë të përkohshme, dhe rezultati i këtyre proceseve pritet të ndikojë në suksesin e tij në një mandat të dytë.

Përveç këtyre, Trump ka ngritur edhe padi kundër ligjeve në nivele shtetërore dhe lokale, rreth 11 sipas faqes Lawfare.

Një kapitull veç e veç merret me përplasjet me median. Padia e Trump ndaj Murdoch, kompanive të tij dhe dy gazetarëve të Wall Street Journal lidhur me artikullin për Epstein, i bashkohet të paktën pesë padive të tjera që presidenti ka bërë kundër mediave.

Ai ka paditur gazetën Des Moines Register për një sondazh që e jepte gabimisht të humbur në Iowa para zgjedhjeve të 2024; ABC News për komentet e një moderatori; dhe Paramount për një intervistë me Kamala Harris (ABC dhe Paramount kanë bërë marrëveshje, duke paguar përkatësisht 15 dhe 16 milionë dollarë).

Gjithashtu, Trump ka paditur botuesin Simon & Schuster për përdorimin e intervistave audio me Bob Woodward (padi e arkivuar) dhe CNN për përdorimin e termit “gënjeshtër e madhe” në lidhje me akuzat për vjedhje zgjedhjesh në 2020 (padi e arkivuar).

Nga ana tjetër, agjencia Associated Press ka paditur Trump për mospranimin e aksesit në Zyrën Ovale, ku Trump fitoi në apel, ndërsa mediat NPR dhe PBS janë objekt i përpjekjeve të tij për të ndaluar fondet federale ndaj tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë